Javën e kaluar u krye transaksioni i parë me vlerë 2 milionë euro për konsorciumin që ka lidhur kontratën koncsionare. Koncesioni 30-vjeçar u dha për një kosto totale që parashikohet të jetë rreth 350 milionë euro

Qeveria i dha kompanive Kastrati dhe Salillari rreth 2 milionë euro për koncesionin e Rrugës së Kombit. Kjo është pagesa e parë e qeverisë për këtë koncesion dhe është justifikuar si pagesë për investime. Open Data raportoi se koncesioni i Rrugës së Kombit përfitoi javën e shkuar pagesën e parë nga Ministria e Infrastrukturës. “Ajo ishte rreth 1,97 milionë euro dhe u bë “sipas situatës së investimeve” të paraqitura me fatura në muajin tetor. Koncesioni 30-vjeçar i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit iu dha kompanive Kastrati dhe Salillari në fund të vitit 2016-të për një kosto totale që parashikohet të jetë rreth 350 milionë euro”, raporton exit.al.  Sipas marrëveshjeve të nënshkruara me qeverinë, Kastrati dhe Salillari mbledhin dhe mbajnë të ardhurat nga tarifat e vendosura me traun në rrugë në këmbim të mirëmbajtjes dhe ndërtimit të disa akseve të lëna përgjysmë. Përveç kësaj, ato subvencionohen kur rruga nuk ka trafik të caktuar. Rruga e Kombit është i vetmi aks që lidh Kosovën dhe shumë zona të verilindjes së Shqipërisë me kryeqytetin. Megjithatë ai u dha me një koncesion abuziv me kosto të larta financiare për shtetin dhe tarifa të larta për qytetarët që përdorin rrugën.

Si e morën koncesionin Kastrati dhe Salillari

Koncesioni i Rrugës së Kombit u fitua në gusht të vitit 2016 nga konsorciumi i Catalyst Viva Das General Constructing LLC, Salillari shpk, Bee Thech, Vialop Ateve  dhe Kastrati. Pak muaj më vonë, konsorciumi themeloi kompaninë Albanian Highway Concession (AHC) e cila zotërohej sipas aksioneve në përqindje: 40% Catalyst Viva Das General Constructing LLC, 30% Salillari shpk, 10% Bee Thech, 10% Vialop Ateve dhe 10 % Kastrati. Në fillim të vitit 2017 kompanitë Kastrati dhe Salillari blenë 60 për qind të aksioneve që zotëroheshin nga kompanitë e huaja me çmimin: 200 mijë euro – 40% Catalyst Viva Das General Constructing LLC dhe 235 mijë euro – 20 % Bee Thech dhe Vialop Ateve. Ndarja e aksioneve pas këtyre blerjeve të fillim vitit 2017 u bë 50/50. Vlen të theksohet se vlera është sa 0.1 për qind e shumës totale që AHC do të përfitonte nga koncesioni prej 350 milionë euro.

Tarifat

Tarifat që aplikohen që këtë javë në Rrugën e Kombit janë më të lartat në Europë. Portali europian http://www.tolls.eu jep të dhëna të detajuara për të gjitha tunelet, urat dhe autostradat që janë kundrejt pagesës në Europë. Siç shihet edhe nga renditja, Shqipëria ka nivelin më të lartë të tarifave të vendosura ndaj një investimi publik vetëm për mirëmbajtje, me 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët. Sipas informacioneve zyrtare, Austria merr taksë për rrugët me pagesë mesatarisht 0.5 euro në ditë për një veturë dhe 0.9 euro për një kamion. Në Maqedoni, pagesa varion 0.9 euro në ditë për veturat në 2.5-3.5 euro për kamionët. Ndërsa në Tuneli Prado-Carénage, në Francë kërkon një tarifë 2.8 euro për vetura dhe 3.2 euro për kamionët. Në Turqi, Ura Sulltan Selim mbi Ngushticën e Bosforit, aplikohet pagesë për veturat 1.7 euro në ditë dhe për kamionët 2.3 euro. Në Moldavi, veturat paguajnë 0.5 euro në ditë dhe në Rumani 0.4 euro në ditë. Këto çmime funksionojnë për investime të bëra kryesisht nga privatët, të cilët nëpërmjet taksave nxjerrin paratë e investimit. Ekspertët nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve pohojnë se zakonisht për mirëmbajtje tarifat në maksimalen e tyre janë 2.5 euro për 100 kilometër. Ndërsa kontrata e mirëmbajtjes për Rrugën e Kombit është vetëm për aksin, Milot – Morinë që është 101 kilometra. Tarifa më të larta koncesioni aplikohet për tunelet në Itali, që lidhin zonat turistike të Mont Blanc, që janë zona turistike që japin më shumë se dy versione për lëvizje. Rruga e Kombit është një investim publik që i ka kaluar 1 miliard euro, teksa koncesioni i saj do të funksionojë vetëm për mirëmbajtjen. Ekspertët pranë konsorciumit Catalyst, që do të menaxhojë koncesionin, pohojnë se tarifa është e lartë për shkak të lëvizshmërisë së ulët. Por tarifa gjithashtu rrezikon të kthehet në bumerang për trafikun dhe të ulë më tej lëvizjet e makinave në autostradë.

Transferimi i rrezikut

Nëse trafiku bie, koncesionari Catalyst e ka transferuar rrezikun tek qeveria, e cila ka marrë përsipër në kontratë të kompensojë pagesat për trafikun e munguar (nën minimumin 6-7 mijë automjete në ditë). Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë koncesionarin në 13 vitet e para të paktën 65 milionë euro, si subvencion për trafikun e munguar. Nëse edhe pas vënies së pagesës trafiku është mbi minimumin 7 mijë automjete në ditë, fitimi i kompanisë do të ndahet 50% me qeverinë. Aplikimi i taksës në Rrugën e Kombit është shumë i lartë sidomos për mjetet e transportit të mallrave. Bashkë me pagesën 20 euro për skanimin në doganë që është një taksë ekstra që nuk aplikohet në asnjë vend të Europës, pagesa prej 22,5 eurosh në Rrugën e Kombit do të zhvlerësojë tërësisht tregtinë me Kosovën dhe më tej nëpërmjet kësaj autostrade. 43 euro është një kosto e lartë për bizneset, të cilët do të shohin mundësi të reja tranzitimi. Mirëmbajtja në Rrugën e Kombit është dhënë për një afat 30-vjeçar. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj.

Flash Lajme

Më të lexuarat