Zgjedhorja/ Financimi i fushatës është pika ku ende opozita, mazhoranca dhe ndërkombëtarët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. PD kërkon financim 100% të partive nga shteti, PS dhe opozita parlamentare: Nuk mund të bëhet

Erjon Dervishi

OSBE-ja preferoi të zhvillonte një tryezë me dyer të mbyllura për reformën zgjedhore, duke iu larguar formatit të mëparshëm. Në fakt, këtë format zyra në Tiranë e kishte njoftuar që disa ditë më parë. Tryeza e dytë erdhi në një moment të tensionuar, pasi një ditë më parë Presidenti Ilir Meta kishte shpallur “non grata” ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt. Pavarësisht se Presidenti mbajti një qëndrim të fortë ndaj Borchardt, partia që ai krijoi vetë, Lëvizja Socialiste për Integrim, kishte ekspertin e saj në tryezë. Ashtu si edhe në formatin e shkuar, opozita kishte Ivi Kason të PD-së, Arjan Madhin të PR-së dhe Muharrem Cakën të LSI-së. Përfaqësuesi republikan Madhi u shfaq më vonë në tryezën e reformës, pasi më parë duhej të ishte në një tryezë tjetër në atë të presidentit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës politike. Pjesa e parë e tryezës e zhvilluar me dyer të mbyllura, nisi me një fjalim të ambasadorit Borchardt dhe më pas u është kushtuar ekspertëve të huaj, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me financimet e partive politike. “Gjetjet dhe rekomandimet kryesore mbi rregullimet e financave të partive politike dhe fushatës zgjedhore në Shqipëri’, ishte referimi i Quentin Reed, ekspert i Këshillit të Europës. Më pas Lisa Klein, eksperte e NDI, ka dhënë shembuj mbi mënyrën e fondeve në fushatë në zgjedhjet amerikane.

Propozimet e PD-së, përplasje me ato të LSI dhe ndërkombëtarët

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri në një prononcim për mediat pas përfundimit të pjesës së parë të diskutimeve u shpreh se qëllimi i saj sot është për të parë përtej fushatës edhe financimin e partive.
“Qëllimi i tryezës është më i gjerë, për të parë përtej fushatës edhe financimin e partive. Ka diskutime nga më të ndryshmet, problemet kryesore janë aspekti i raportimit, kufizimet në shuma, por edhe idetë apo kërkesa që kanë ardhur nga institucionet ndërkombëtare edhe për të kufizuar reklamat politike apo edhe për t’i eliminuar ato”, tha Gjiknuri. Bashkëkryetari socialit tha ndër të tjera tha se presin Partinë Demokratike me propozime të shkruara për reformën, pasi deri më tani janë nuk kanë parë gjë, përveç deklaratave politike. “Do të shprehemi në lidhje me to. Sa i përket rolit të PD, prezenca e saj në tryezë është e mirëpritur. Unë jam i bindur që ne mund të kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë tryezë për të adresuar edhe çështje të reformimit të partive politike, sepse ajo mund të jetë një gjë që mund të trajtohet jashtë kuadrit të reformës zgjedhore, Pra, legjislacioni i ri për financimin e partive politike do të përfshije edhe partitë kryesore shqiptare që në këtë rast është edhe PD”, përfundoi Gjiknuri.

Sa i takon financimit të partive dhe fushatës, eksperti Ivi Kaso ka paraqitur opsionin e opozitës ku kërkohet financim 100% nga shteti, si dhe uljes së kostove të politikëbërjes. Gjithashtu kërkohet rishikim i kuadrit ligjor ekzistues për të siguruar barazi sipas standardeve ndërkombëtare, mekanizma rigoroz dhe efikas kontrolli të burimeve të financimit dhe shpenzimeve. “Rregullimin në mënyrë strikte të mënyrës dhe masës së përfitimit të donacioneve në natyrë dhe shërbime apo favore nga partitë politike, kandidatët apo edhe institucionet shtetërore. Bërja e tyre publike në çdo rast. Miratimin e rregullave për hartimin nga KQZ të një liste kostosh reference të detyrueshme, për materiale, infrastrukturë apo aktivitete zgjedhore me qëllim matjen e shpenzimeve. Lista e kostove-tip duhet bërë publike nga KQZ dhe të jetë ë detyrueshme nga ekspertët në verifikimin e shpenzimeve. Miratimin e rregullave për të kufizuar në mënyrë të detajuar tipologjitë e aktiviteteve dhe infrastrukturës së përdorur apo mjeteve të propagandës të subjekteve politike. Kjo me qëllim uljen e kostove të fushatave dhe të politikëbërjes e për rrjedhojë uljen e masës së financimit”, janë disa nga propozimet e PD-së.

Kundërshtitë

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka të njëjtin qëndrim me PD-në, pasi është kundra idesë e financimit të masën 100% nga shtetit. Aleatja e PD-së, është pro financimit miks financim shtetëror dhe privat, duke përfshirë edhe kuotizacionet e anëtarëve. Ndërkaq mësohet se në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura ka pasur vërejtje edhe ndërkombëtarët për skemën. Ekspertët, sipas burimeve, theksuan se është kundër standardeve ndërkombëtare, Këshilli i Europës dhe Komisioni të Venecias për të pasur vetëm financim publik. Pas takimit të dytë, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso e cilësoi pjesëmarrjen në këtë tryezë të dytë si një shprehje e vullnetit të opozitës për të realizuar sa më parë reformën zgjedhore. “Propozimet janë detajuar edhe në nivel teknik dhe së shpejti nga ekspertët e opozitës së bashkuar në funksion të punës që mblidhen në selinë e PD do të materializohen me një draft konkret. Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre me pikat e dobëta që lidheshin me financimin dhe që duhet të adresoheshin. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre për 100% të financimit publik. I takon klasës politike, është vullneti i saj që të miratohet dhe zbatohet”, theksoi Kaso. Ndërsa për qëndrimin e LSI-së, aleates së saj, Kaso u shpreh i hapur për ta rishikuar propozimin e PD-së, si dhe theksoi dhe edhe vetë bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri dhe as deputetja socialiste Blerina Gjylameti. Ndryshe nga herët e tjera PD-ja qëndroi deri në fund të tryezës së thirrur nga opozita dhe se paraqitën dhe propozimet konkrete.

‘Zgjidhja’: Si ndalohet financimi i partive politike nga krimi?

Në tryezën teknike të organizuar nga OSBE, Zyra e BE-së dhe Instituti Demokratik Amerikan mbi “Financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore’, partitë politike sollën disa propozime për ndryshime në Kodin e ri Zgjedhor. PD kërkon financimin 100 për qind me fonde shtetërore, PS kërkon financimin edhe me fonde shtetërore dhe me ato private, ndërsa disa parti të tjera propozuan shtimin e neneve në Kodin Penal për financimet e paligjshme, apo rritjen e fondeve shtetërore për partitë e vogla.
Partia ‘Zgjidhja’ ka kërkuar mbështetje të balancuar dhe transparencën e plotë për të gjitha partitë politike, jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe të financimeve nga shteti dhe nga burimet private, duke eliminuar diskriminimin e partive të reja. Ndryshimet e propozuara nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore mbajnë në këmbë skemën e tanishme të financimit, ku 2-3 parti të vjetra marrin shumicën dërrmuese, mbi 90 përqind të buxhetit që jepen për zgjedhjet nga qeveria, ndërsa mbi 50 parti të tjera ndajnë më pak se 10 për qind të tij. Partia ‘Zgjidhja’ i cilëson të pamjaftueshme ndryshimet e propozuara për të eliminuar financimet e paligjshme. Ato nuk mund të zhduken nëse auditi dhe transparenca financiare do të lihet në dorë KQZ-së së kontrolluar nga 2-3 parti si deri më sot, sepse i bie që ato të hetojnë dhe të dënojnë veten. Kjo garanci nuk mund të bazohet as te deklaratat e firmosura nga kryetarët e partive se nuk do të marrin financime të paligjshme në fushata. Partia ‘Zgjidhja’ arsyeton se Kodi i ri Zgjedhor mund dhe duhet ta ulë në zero financimin me cash për partitë, apo të ndalojë për 3-4 vite klientët e qeverisë që financojnë partitë në zgjedhje të marrin koncesionet shumëmilionëshe nga shteti, por nuk do t’i ndalojë paratë e pista që vijnë nga korrupsioni, krimi dhe trafiku i drogës të blejnë zgjedhjet. ‘Zgjidhja’ beson se vetëm demokratizimi i plotë i zgjedhjeve, partive dhe qeverisjes, rivendosja e sovranitetit të popullit dhe shembja e këtij sistemi autokratik do të mundësojë kontrollin e rreptë mbi financimet për partitë dhe ndalimin e parave të krimit të financojnë politikën. ‘Zgjidhja’ është për transparencë të plotë të fushatave elektorale, kategorikisht kundër financimeve të huaja për partitë shqiptare, ndërsa kërkon që financimet private dhe pagesat dalëse të partive të bëhen vetëm nëpërmjet kanaleve bankare, duke eliminuar plotësisht pagesat në cash. ‘Zgjidhja e ka përcaktuar si pjesën më të rëndësishme të “Paktit Kombëtar’, rrëzimin e amendimeve kushtetuese të 21 prill 2008 dhe rikthimin e sovranitetit të popullit si dhe bërjen e një reforme të thellë të partive politike shqiptare, të cilat sot janë bashkësi parapolitike, pa institucione, pa rregulla dhe pa demokraci të brendshme. Ato do të bëhen demokratike kur kryetarëve të tyre t’u hiqet monopoli për të caktuar kandidatët për deputetë, kryetarë bashkish, apo këshilltarë dhe kur ata të zgjidhen të gjithë drejtpërdrejt nga dhe me votën e popullit.

Flash Lajme

Më të lexuarat