Buxheti i vitit 2020, 120 mln euro për 13 koncesionet e Ramës. BERZH: Kontratat janë firmosur nga firma që nuk kanë kapacitete financiare. Nga 220 kontratat koncesionare që janë sot, 44 janë nënshkruar pas 2014-s

Neritan Gjergo

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj duke raportuar në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi ndikimin në buxhet të pagesave për kontratat koncesionare tha se gjatë vitit që vjen pagesat llogariten sa 3.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe se në vitet në vijim kjo pagesë vjen duke u ulur në raport me PBB-në. “Kontratat koncesionare nuk janë risi për Shqipërinë, janë produkt i një zhvillimi ekonomik të Europës. Nga 220 kontrata që kemi sot, 176 janë nënshkruar nga viti 2004 në vitin 2014 dhe 44 pas vitit 2014. Nga këto 171 kontrata me ofertë të pa kërkuar janë nënshkruar para vitit 2014”, shpjegoi ministrja Denaj. Sipas saj, në vitin që vjen janë 14 kontrata që kanë mbështetje buxhetore. Ministrja tha se investimet përmes PPP nuk janë luks për brezat e ardhshëm. “ Janë nevojë për investim pasi infrastruktura zhvillon ekonominë, është një kërkesë e vazhdueshme e investitorëve, por edhe nevojë e qytetarëve për të transferuar, për lëvizjen e lirë. Flasim për tregje rajonale jo vetëm për treg lokal”, u shpreh ministrja. Pagesat që parashikohen të kryhen nga qeveria për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën e rreth 14.6 miliardë lekë në vitin 2020. Kjo vlerë përbën vetëm 3.3% e totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2019. Në bazë të ligjit për buxhetin organik shuma e përgjithshme e pagesave vjetore, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% e të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Ministrja Denaj bëri të ditur se gjatë vitit 2019 kemi intensifikuar monitorimin e performancës së kontratave koncesionare/PPP-ve me mbështetje buxhetore, duke monitoruar jo vetëm ecurinë e pagesave faktike buxhetore por edhe treguesit e performancës të planifikuar dhe realizuar për secilën kontratë koncesionare.

BERZH

Por përtej retorikës së Ministres së Financave, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim bën parashikimin më të zymtë sa i takon zgjerimit të ekonomisë shqiptare për 2019. Në raportin tranzitor 2019-2020, BERZH thotë se rritja do të jetë vetëm me 2.8 për qind, një diferencë me 0.6 pikë përqindjeje në krahasim me parashikimin e Qeverisë shqiptare. BERZH identifikon edhe shkakun kryesor të kësaj rënieje. “Në 2018 ekonomia pati një rritje prej 4.1 për qind. Por, në gjysmën e parë të 2019 ajo u ndal në 2.4 për qind. Shkaku kryesor ishte rënia e prodhimit të energjisë elektrike”, thotë BERZH. Raporti nuk është përfundimtar dhe po aty BERZH thekson se borxhi publik mbi 68 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pa llogaritur këtu kontratat e dhëna sipas skemës partneritet publik-privat. Sistemi bankar vlerësohet si i konsoliduar megjithëse theksohet se gjithnjë e më shumë po pakësohen bankat nga vendet e Eurozonës, që po zëvendësohen me bankat vendase dhe të tjera jo nga vendet e BE-së. Për 2020, BERZH këshillon tre prioritete. I pari lidhet me luftën kundër informalitetit dhe thjeshtimin e sistemit të taksimit. “Informaliteti mbetet një prej pengesave kryesore për të bërë biznes dhe masa të tjera nevojiten. Mes këtyre masave duhet të jetë edhe një sistem taksash dhe procedurash i thjeshtë dhe përforcim i kapaciteteve inspektuese, si dhe lufta ndaj korrupsioni në administratën publike”, nënvizon BERZH. Prioriteti i dytë lidhet me përmirësimin e standardeve fiskale dhe të mirëqeverisjes.

“Me urgjencë duhet të trajtohet përmirësimi i mënyrës së dhënies së PPP-ve dhe forcimi i institucioneve dhe i shtetit të së drejtës. Gjithashtu, burimet e energjisë duhet të diversifikohen për të shkëputur varësinë e madhe që ka vendi nga energjia e prodhuar nga hidrocentralet”, shtohet në raport. Këtu, BERZH përmend faktin se pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve ndërkombëtare, Qeveria vazhdoi përpara me koncesionet sipas skemës partneritet publik-privat, ku përmend nominalisht koncesionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara. “Koncesione të mëdha sipas skemës PPP vazhdojnë të jepen, sidomos në sektorin e rrugëve (si shembull Milot-Balldre dhe Orikum-Llogora), pa patur një analizë të mjaftueshme kosto-përfitim dhe pa garë”, vëren BERZH. Banka ka paralajmëruar se këto projekte mund të kenë kosto sociale, ekspozojnë qeverinë ndaj rreziqeve dhe për më tepër u janë dhënë pa konkurrencë firmave që kanë kapacitete të ulëta financiare, në raport me madhësinë e projektit. “Mungojnë të dhënat e përgjithshme dhe situata financiare e ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuar”, tha Banka.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All