Bashkimi Europian i konsideron vendet e Ballkanit Perëndimor mike dhe partnere gjeopolitike të unionit. Zotimi u përsërit të enjten gjatë seancës plenare për konfirmimin e kabinetit të ri ekzekutiv të BE-së, që do të udhëhiqet nga politikania gjermane, Ursula Fon Der Lejen.

Bashkimi Europian mbetet i hapur për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, edhe pas rezistencës së muajit të kaluar për vendet kandidate si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.

Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula Fon Der Lejen, përsëriti para Parlamentit Europian se zgjerimi është në interesin gjeopolitik të unionit.

“Ne duhet t’u tregojmë miqve tanë në Ballkanin Perëndimor se ndajmë të njëjtin kontinent, të njëjtën histori dhe kulturë, dhe po ashtu do të ndajmë të njëjtin fat. Dera jonë mbetet e hapur.”

Në prezantimin e programit 5-vjeçar, Fon Der Lejen shtoi të mërkurën se ambicien e saj do e çojnë përpara komisionerët e rinj për diplomacinë dhe për fqinjësinë e zgjerimin e BE-së.

Përveç temës së anëtarësimeve, Fon Der Lejen ndau edhe vizionin për Europën në të ardhmen, me fokus kryesor klimën, emigracionin, punët e jashtme, tregtinë, ekonominë dhe inovacionin.

“Në pesë vitet e ardhshme do punojmë për të transformuar çdo pjesë të shoqërisë dhe ekonomisë tonë. Për ne Bashkimi Europian nuk është çështje partish, rregullash apo tregjesh, por pikësëpari çështje njerëzish dhe aspiratash.”

Pas vonesës 1-mujore, në seancën plenare të së mërkurës iu dha drita jeshile ekipit të ri të Komisionit Europian.

Von Der Lajen dhe 26 komisionerët vartës të saj të ndarë sipas tematikave do e kryesojnë presidencën europiane nga 1 dhjetori.

Flash Lajme

Më të lexuarat