Në janar-shtator 2019 primet e shkruara bruto nga sigurimi ndaj zjarrit dhe forcat e natyrës ishin 881 milionë lekë. Kjo shifër erdhi në tkurrje me 29 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërgjegjësimi për të paguar një sigurim për shtëpinë është ende në shkallë të ulët në vend dhe vlerësimet tregojnë se minimalisht 2 banesa janë të siguruara në 100 të tilla. Ky nivel do të ishte edhe më i vogël sikur bankat të mos detyronin ata që marrin kredi që të sigurojnë banesën apo pasurinë e paluajtshme që blejnë përmes kredisë.

Me ndodhinë e tërmetit të 26 nëntorit ku janë me mijëra banesa të prekura pyetja që lind është: si do të llogaritet dëmshpërblimi për shtëpitë ende në proces shlyerje kredie dhe të siguruara nga ana e kompanive të sigurimit si efekt i kredisë?

Burime nga siguruesit thonë se tenenca e atyre që blejnë një shtëpi me kredi është që, paralelisht duke shlyer pjesën e kredisë, të ulin vlerën e primit të sigurimit që paguajnë. Pra nëse shtëpia është blerë me një vlerë 50 mijë euro dhe ajo është siguruar me një prim të caktuar nga kompanitë e sigurimit për këtë vlerë, vit pas viti primi që paguhet nga qytetarët vjen në ulje vetëm për pjesën e kredisë së mbetur. Kjo do të thotë që nëse dikujt i ka mbetur vetëm 10 mijë euro kredi e pashlyer, por vlera totale e shtëpisë është 50 mijë euro, tendenca është që primin ta bëjë vetëm për pjesën e kredisë. Vlera prej 40 mijë euro e banesës ndëkrohë lihet me vetëdije e pambuluar nga sigurimi e për rrjedhojë edhe pa dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit në rast të dëmeve potenciale.

Në një situatë si kjo e sotmja ky duket se do të jetë edhe rezultati që do të kemi në terren. Siguruesit konfirmojnë se në kushtet kur sigurimi është bërë me një prim minimal pra vetëm për pjesën e mbetur të kredisë edhe llogaritja e dëmshpërblimit do të bëhet vetëm për pjesën që është siguruar.

Tendenca e uljes së sigurimit nuk vihet re vetëm tek sigurimi i banesës me kredi por edhe tek sigurimi i jetës që kredimarrësi bën për veten në momentin që merr këtë kredi. Tendenca për të kursyer nga pjesa e shlyer e kredisë bën që primi në finale të mbulojë vetëm një pjesë të dëmit pikërisht atë që me detyrim duhet ta shlyejë ndaj bankës.

Pas tërmetit të 21 shtatorit tashmë ka një nismë për sigurimin me detyrim të ndërtesave për një periudhë 10 vjeccare. Pagesa bëhet nga ndërtusi por ajo transmetohet më pas tek blerësi. Vendimi që miratoi qeveria pak javë më parë nënvizon se tarifa vjetore e sigurimit nuk duhet të jetë më e ulët se sa 0.1 për qind e vlerës së apartementit ose ndërtesës. Kjo do të thotë se një banesë me vlerë 90 mijë euro do të ketë një kosto sigurimi 900 euro për gjithë periudhën dhjetëvjecare ose 90 euro në vit.

Flash Lajme

Më të lexuarat