Banorët e strehuar në kapin e Vorës denoncojnë për “Shekulli”-n se shumë prej ndihmave të ardhur,  janë duke u vjedhur. Radhë të gjata për të marrë një thes miell.

Shpërndaja e ndihmave në mënyrë selektive  

Enida Vërça

Një ndër problemet e referuara për “Shekulli”-n nga banorët e strehuar në kampin e Vorës, është vjedhja e ndihmave nga përgjegjësit të cilët mbikëqyrin këto çadra. Banorët denoncojnë se shumë pak ndihma shkojnë në çadra dhe pjesa më e madhe e produkteve të nevojshme vidhen. Dhimitër Berisha, tashmë banorë i kampit thotë se pjesën më të madhe të ndihmave i marrin menaxherët e kampit.”Menaxherët kanë vjedhur shumë. Me makinë kanë marrë dyshekët, jorganët, ushqimet e shumë produkte të tjera. Po të shkosh në shtëpitë e tyre, shikon që banesat e tyre janë plotë me ndihmat që kanë ardhur për njerëzit që rrinë në këto çadra”, deklaron ai. Me tej shton se banorët të cilët kanë qenë më herët me qira, nuk janë marrë në konsideratë, duke mos iu dhënë asnjë ndihmë nga shteti. “Banesa ku unë jam me qira do të prishet dhe për ne nuk është dhënë asnjë zgjidhje. Deri në datën 15 na kanë lënë që afat që rrimë në kamp dhe më vonë do të dalim me qira, nuk e dimë se çdo të bëhet me ne. Shteti duhet të vej dorën në zemër. Jemi me fëmijë të vegjël, vajzën e kam të shtruar në spital, nuk kam lekë për rrugën që të shkoj ta vizitoj”, thotë i dëshpëruar Berisha.

Shpërndarja e ndihmave

Ditën e sotme në këtë kamp u shpërndan ndihma, të ardhura nga USAID. Me qindra banorë prisni në radhë për të dëgjuar emrin, duke pasur mundësinë e marrjes së batanijeve, miell, apo sheqer. Shumë prej tyre deklarojnë se ende deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë deri më tani. “Sot na njoftuan që do marrim ndihma. Deri më tani familja ime nuk ka marrë asgjë. më shumë kemi qëndruar pa ngrënë se të ngrënë. Tani presim që të dali emri që ta marrim një thes miell”, thotë Bajram Dervishi. “Kam marrë vetëm dy herë ndihmë deri më tani, por nuk mund të kalojmë gjithë jetën kështu. Askush nuk na jep një zgjedhje se çfarë do të bëhet. Ne na interesojnë shtëpitë. Banesën e kam ndërtuar me kredi dhe tani kam mbetur në rrugë”, thotë Haxhi Vrapi, banorë i fshatit Bërxull.

Mungesa e çadrave

Teksa shumë banorë presin radhën për ndihma, shumë të tjetër deklarojnë se nuk kanë se ku t’i përdorin, pasi kushtet në të cilat ndodhen është e pamundur të gatuhet. Zamira, nga fshati Marqinet i Tiranës thotë se për më shumë se tre herë ka bërë kërkesë për një çadër, që ta vendos pranë banesës së saj të dëmtuar por deri më tani askush nuk i ka dhënë një përgjigje. “Sollën një thes miell, sheqer dhe dy batanije, për ca i duam këto? Unë nuk kam se ku të gatuaj. E vetmja gjë që dua është një çadër aty ku kam banesën, pasi këtu në Vorë e kam të pamundur të vij. Jam me invalid në shtëpi. Këto ndihma janë sa për të kaluar radhën. Nëse doni vërtet të na ndihmonin, të na i përgatisnin ushqimet bazë. Nuk kam asnjë vend për të gatuar. Pa ngrënë po rrimë. Në të ftohtë. Shtëpia është carë në dy pjesë, fatia është prishur, kur bie shi, çfarë bie jashtë, bie brenda”, thotë ajo.

Flash Lajme

Më të lexuarat