Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela realizoi një takim me prokurorë dhe drejtues të këtij institucioni, ku u diskutuan disa çështje por në fokus të takimit ishin procedimet që lidhen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntorit.

Kryeprokurori Çela i ka ofruar mbështetje drejtuesve dhe prokurorëve të Tiranës për procedimet ndaj autorëve të veprave penale dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

“Në fokus të veçantë të takimit ishte mbështetja që Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ofroi drejtuesve dhe prokurorëve të kësaj prokurorie për procedimet që lidhen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, përmes sigurimit të asistencës teknike dhe ekspertizës që do të ndihmojnë në hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve”, deklaron Prokuroria e Përgjithshme.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme bëhet me dije se në takim u diskutuan probleme që lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, vlerësimin e performancës së saj, organizimin e punës pas rritjes së numrit të prokurorëve në këtë prokurori, çështje që lidhen me zbatimin e ligjit për prokurorinë, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, ndërtimin e një sistemi efikas të monitorimit të zbatimit të ligjit në këto aspekte, si dhe u trajtuan çështje që lidhen me zbatimin e ligjit, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”.

Flash Lajme

Më të lexuarat