I riu me prindër të divorcuar tentoi të arratisej me not nga Liqeni i Ohrit. Kërkoi mëshirë në Gjykatë,

Xhesian Shazimani

Një dokument i publikuar dje nga ish-drejtori i ISKK-së, Agron Tufa vë në dukje se deputeti Socialist, Spartak Braho me dorën e tij ka firmosur dënimin me vdekje të një të riu në vitin 1985.

Bëhet fjalë për djaloshin 16-vjeçar Gjergji Hani, i cili ka tentuar në maj të vitit 1985 të arratiset drejt Jugosllavisë. I riu me prindër të divorcuar, sipas dokumenteve të kohës ka pranuar qëllimin e tij për tu larguar nga Shqipëria, por ka kërkuar në Gjykatën e Durrësit mëshirë, në mënyrë që dënimi t’i lehtësohej, por kjo nuk është marrë parasysh nga 3 anëtarët e Gjykatës.

Kush ishte Gjergji Hani?

Në vitin 1985, kur u mor vendimi për dënimin, Gjergj Hani ishte një i ri 16-vjeçar, i lindur më 11.5.1969 në qytetin e Durrësit. Gjergji ishte nxënës në vitin e parë, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Naim Frashëri” Durrës.

Ai ishte djali i Tomorr Hanit dhe Marilda Kallços, një familje e thjeshtë, të cilët banonin në këtë qytet, në lagjen nr.17, në rrugën “Përparimi”. Prindërit e tij ishin të divorcuar që kur ai ishte 6 vjeç, ndërsa Gjergji jetonte me babin e tij. Ai ishte akuzuar për tradhti në formën e arratisjes jashtë shtetit e mbetur në tentativë.

Gjykata në atë kohë, pasi shqyrtoi materialet e dosjes hetimore, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, kërkoi dënimin si fajtor për Gjergji Hanin me 5 vite heqje lirie. Në vendimin e gjykatës thuhet se: Duke qenë se Gjergji prindërit i kishte të ndarë, ai ka filluar të bëjë një jetë të shthurur e gradualisht të mendojë për këtë veprimtari.

Në vitin e parë gjimnaz Gjergji ka braktisur shkollën dhe aso kohe filloi të ndjekë programet e televizionit jugosllav, ku sipas hetuesisë, aty ka lindur dhe dëshira për t’u arratisur.

Aty gjithashtu thuhet se babai i Gjergjit kishte një xhaxha në emigrant në Australi, dhe Gjergji kishte menduar të shkonte atje pas arratisjes.

Më 23 maj 1985, është larguar nga Durrësi dhe ka shkuar në Fier te disa të afërm të tij, dhe prej andej 4 ditë më vonë është nisur me trenin e linjës së Pogradecit.

Pasi ka zbritur nga treni në Stacionin e Gurit të Kuq, Gjergji ka shkuar në fshatin Lin me autobus, dhe pasi është arrestuar, ai ka marrë drejtimin e vijës së kufirit. Në Lin, ai ka pritur sa të errësohej, me qëllim që të mos diktohej, dhe pas kësaj ka marrë rrugën nëpërmjet një kodre për të dalë buzë klonit. Duke mos pasur mundësi për kalimin e klonit në tokë, Gjergji i është drejtuar liqenit, dhe pasi i është afruar ujit dhe shmangur dritës së prozhektorit, është zhveshur dhe ka hyrë në ujë për ë notuar drejt vijës kufitare që ndan Shqipërinë me shtetin Jugosllav. Gjatë notimit, ka bërë zhurmë dhe është diktuar nga roja kufitare, të cilët dhanë alarmin.

Iu bë thirrja që të ndalonte, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ka vijuar të notojë, por roja kufitare ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij.

Përpara kësaj situate, nga frika se mos vritej, është kthyer prapa. Aty e kanë marrë ushtarët e kufirit Jonuz Bërhoxha dhe Zeqir Gjoka. Më pas, ka vijuar gjyqi deri në dënimin e tij, ndërsa në dokumentin e Gjykatës së Durrësit në vitin 1985, thuhet se vetë djaloshi ka pranuar se po tentonte të arratisej.

Flash Lajme

Më të lexuarat