Intervista/ Eksperti amerikan i Ballkanit, Alon Ben-Meir komenton për “Shekulli”-n çështjet e nxehta të politikës shqiptare. Gabimet e kryeministrit në raportet me Kosovën dhe padrejtësitë në afrimin me Erdoganin

Erjon Dervishi

Iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e “Mini Shengenit Ballkanik”, mungesa e Kosovës në këtë organizim, dëbimi i shtetasit turk nga Shqipëria, janë tre çështje për të cilat qeveria e Shqipërisë mban një përgjegjësi kryesore. Gazeta “Shekulli” ka intervistuar ekspertin nga Universiteti i New-York-ut, Alon Ben-Meir. Prof. Ben-Meir kritikon mënyrën se si qeveria e Tiranës dëboi shtetasin turk, vetëm për faktin se kishte lidhje me rrjetin e Imamit nga Turqia, Fethullah Gulen, si dhe marrëdhëniet e saj me Kosovën, për të cilat, Prof. Ben-Meir, kërkon që Edi Rama të mos flas në emër të Kosovës, pasi kjo e fundit e ka një qeveri.

Ben-Meir, si e komentoni nismën e drejtuesve të Ballkanit Perëndimor të të ashtuquajturit projekt Mini Shengen?

Kjo iniciativë shihet më shumë si një reagim ndaj refuzimit të BE-së (në këtë pikë) për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto vende së bashku me Serbinë janë të irrituar nga vonesat në procesin e integrimit. Ata dolën me një plan për të krijuar atë që karakterizohet si “Mini Shengen”. Në vetvete, koncepti i aplikimit të lëvizjes pa kufij të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe kapitalit është i rëndësishëm, veçanërisht midis fqinjëve, për sa kohë që nuk pengon në asnjë mënyrë procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë, nëse këto shtete dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së, gjë që padyshim që ata e bëjnë, i ashtuquajturi “mini Schengen” duhet të organizohet në një mënyrë të qëndrueshme me procesin e pranimit në BE duke siguruar që aktorët e tjerë të mëdhenj që duan të distancojnë Ballkanin Perëndimor nga BE, posaçërisht Rusia, Turqia dhe Kina, nuk do të lejohen të ndikojnë padrejtësisht as në proceset e as në rezultatin përfundimtar.

Çfarë mendoni për pozicionet e Kosovës në atë nismë?

Drejtuesit e Kosovës e denoncuan këtë plan sepse Serbia, udhëheqësi i këtij plani, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Thënë kështu, Kosova duhet të krijojë një atmosferë të favorshme për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Për shembull, duke hequr taksën për mallrat në Serbi, kjo do të dobësonte përpjekjet e Serbisë për të zëvendësuar pavarësinë e Kosovës. Për të qenë të sigurt, krijimi i Mini Shengenit duhet të bazohet në barazinë midis shteteve pjesëmarrëse dhe për aq kohë sa të jetë në përputhje me CEFTA.

A ka bërë Shqipëria ndonjë hap të mirë përpara në lidhje me të ardhmen e Kosovës?

Ndërsa Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë me kushte të pajtuara reciprokisht, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk duhet të flasë në emër të Kosovës. Megjithëse, Kosova ka një popullsi me shumicë shqiptare këto janë dy vende të ndryshme. Kosova ka rrugën e vet drejt Bashkimin Europian dhe duhet të luajë një rol konstruktiv rajonal si një vend i pavarur pasi vazhdon të kërkojë integrimin në BE.

Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare është largimi i shtetasve turq, të cilët kanë lidhje me imamin Fethullah Gulen. Si e shihni ketë proces në marrëdhëniet e Shqipërisë me Erdoganin?

Unë besoj se është një gabim i tmerrshëm të deportosh qytetarët turq në Turqi, vetëm sepse akuzohen se janë mbështetës të lëvizjes Gulen. Erdogan është një diktator i pamëshirshëm, i cili është angazhuar për të përndjekur çdo qytetar turk të cilin e percepton se është armiku i tij brenda dhe jashtë Turqisë. Kjo është një çështje themelore e të drejtave të njeriut dhe qeveria shqiptare nuk duhet të rrezikojë përgjegjësinë e saj morale vetëm për të qetësuar një tiran pavarësisht nga marrëdhëniet e saj të përgjithshme me Turqinë. Është e trishtueshme që Kosova dhe Shqipëria i janë përkushtuar kërkesave të Erdoganit duke deportuar qytetarë turq në Turqi. Çdo shqiptar duhet të tmerrohet nga veprimi i qeverisë së tij dhe nuk duhet të heshtë.

Flash Lajme

Më të lexuarat