Kostot e dëmit të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar të 26 nëntorit duket se do të jenë më të larta nga sa mendohej. Afro 1 miliardë euro llogaritet t’i kushtojë Shqipërisë “fatura” e tërmetit, të paktën kështu pretendon kryeministri Edi Rama.

Tërmeti që goditi Shqipërinë ka qenë pikërisht tema e takimit mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm italian Luigi Di Maio në Konferencën e Donatorëve, ku ai zbuloi shifrën e re të dëmeve, ndonëse ende jo zyrtare.

Di Maio, pyeti se si po shkon puna me rikonstruksionin në Shqipëri dhe ndërkohë Rama shprehet se raporti i dëmeve përllogaritet të jetë 1 miliard euro.

Kjo shifër e deklaruar nga Rama është shumë më e lartë sesa 600-700 milion euro që u deklarua në fillim, dhe gjithashtu kjo shifër përbën 10 % të prodhimit të brendshëm bruto.

Duke marrë parasysh ekonominë e vendit tonë, ky është një dëm shumë i madh për Shqipërinë që e ka të vështirë të sigurojë një shumë kaq të lartë për përballimin e dëmeve.

Shifra është e barabartë me rreth një të katërtën e buxhetit vjetor të shtetit dhe deri tani nga buxheti i tij janë mbledhur rreth 200 milion euro.

Ministri i jashtëm Italian jep shpresë se në Konferencën e Donatorëve më 17 shkurt, do të gjendet një zgjidhje edhe pse shuma është goxha e lartë.

Kujtojmë se 15 milion euro janë dhuruar për Shqipërinë për pasojat e këtij tërmeti nga Komisioni Europian, gjithashtu presidentja e KE, ka dhënë njoftimin se do të mbahet një konferencë donatorësh nga BE për të ndihmuar për rindërtimin pas tërmetit. Megjithatë shifrat e lartpërmendura mbeten disi modeste në raport me faturën e përgjithshme. /B.H/

Flash Lajme

Më të lexuarat