Kërcënimet e drejtuesve të klubit të futbollit Vllaznia nuk janë tanimë ngjarje të izoluara, por një fenomen shqetësues.

Administratori i kuqebluve Suad Lici, ish-futbollist, është njeriu i radhës që duket se është kërcënuar me jetë pasi një pako me eksploziv i është vendosur sot në makinë.

Megjithatë historia e presioneve dhe kërcënimeve mbi drejtuesit e klubit ka nisur më herët. Përveç Suad Licit, më parë janë kërcënuar edhe ish-trajneri Ernest Gjoka dhe ish-tekniku Agim Canaj.

Kujtojmë që gjatë kohës kur Gjoka drejtonte klubin ai është sulmuar me thikë në fushë nga një person i panjohur. Ndonëse ka kaluar kohë duket se gjërat nuk kanë ndryshuar, por vijojnë të mbesin në të njëjtat ujëra.

Trajneri Agim Canaj është përballur gjithashtu me kërcënime të jashtme, duke u detyruar të anulojë seancën stërvitore. Më herët ishin publikuar në media kërcënimet mbi administratorin Suad Lici, që lidhen me ecurinë e ekipin dhe presionin që disa lojtarë të caktuar duhet të luajnë patjetër.

Lidhur me kërcënimet Lici vuri në dijeni edhe kryetaren e bashkisë Voltana Ademi, e cila u detyrua të japë urdhër që skuadra të mos dilte në stërvitje. Kujtojmë që Vllaznia është në administrimin e bashkisë dhe gjendet në vendin e tetë, pranë “greminës” për rënien nga kategoria.

Kërcënimi i bërë sot ndaj Suad Licit është një tjetër kambanë alarmi brenda kampit kuqeblu, që kërkon veprim nga instancat përkatëse.



Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat