Rozeta Plumbini mjeke prej 14 vitesh në rajonin e Piemontes në Itali tregon për “Shekulli”-n se si po trajtohen rastet e prekura me koronavirus në zonën e saj.

Ajo thotë se shumë raste kanë filluar të shërohen, duke shtuar se kujdesi kryesor është higjiena

Enida Vërça

17 të vdekur dhe 652 të infektuar me koronavirus, këto janë të dhënat e fundit që raporton media në Itali. Në Asti, rajonin e Piemontes deri më tani janë prekur 4 persona. “Shekulli” kontaktoi sot me mjeken Rozeta Plumbini, një shqiptare e cila punon për më shumë se 14 vite në këtë zonë. Mjekja tregon situatën në të cilën ndodhet aktualisht vendi, teksa bën me dije se ku janë izoluar personat e prekur. “Të infektuar në qytetin ku jetoj janë 4 persona, që janë të izoluar dy në spitalin e Genova, dy të tjerë në spitalin e Astit”, bën me dije ajo. Sakaq, mjekja e vë theksin te rregullat e higjienës, ku sipas saj është kujdesi kryesor në spital. “Shumë të forta janë rregullat e higjienës dhe kujdesi në spital që të mos krijohen ambiente shumë të ngarkuar me pacientë. Para se të bëhet çdo lloj vizite, i bëhet një pyetësor pacientit (mundësisht me telefon) për të ditur gjendjen e shëndetit, a kanë pas kontakt me persona të infektuar, a kanë qenë në vende të prekura nga virusi, etj. Në raste dyshimi telefonohet direkt ambulanca me personel shumë të mbrojtur që i çojnë për të bërë ekzaminimet e nevojshme. Të gjithë njerëzit që kanë frekuentuar vende të prekura nga virusi ose kanë qenë në kontakt me persona të prekur, janë të detyruar të njoftojnë në shërbimin e higjienës”.

Ekipet mjekësore

Plumbini thotë për “Shekulli”-n se deri më tani nuk ka një kurë të veçantë për këtë virus, duke shtuar se rreziku më i madh u kanoset bluzave të bardha të cilat janë në kontakt me pacientët e prekur. “Ekipet mjekësore janë duke u pajisur me mjete mbrojtëse (maska, syze e doreza) sepse ne jemi në kontakt direkt me të sëmuret. Rreziku është edhe më i madh për ne, pasi mund të shërbejmë si transmetues të sëmundjes”, deklaron ajo. Në fjalën e saj mjekja flet edhe për perceptimin e njerëzve dhe panikun që po përjeton shteti fqinj. “Ne këtë moment janë mbyllur shkollat, janë ndaluar të gjitha aktivitetet kulturore, sportive e fetare. Po ashtu janë ndaluar të gjitha ekskursionet, udhëtimet e ndryshme. Është krijuar një rrjet informacioni i mjaftueshme për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të marrin informacione të ndryshme mbi virusin sepse janë vënë në dispozicion numra telefoni flas, të disponueshem 24 orë “, bën me dije ajo.

Paniku

Mjekja thotë se tashmë paniku i madh ka kaluar në Itali, pasi është i lartë numri i personave të cilët janë duke u shëruar. “Ka kaluar ajo faza e frikës masive që ishte ditët e para, kur u mor vesh lajmi që në Itali u zbulua rasti parë me koronavirus, meqenëse kanë filluar të shihen edhe rastet e pacientëve të shëruar”. Ndërkohë shton se më e rrezikshme se virusi është përjetimi i njerëzve dhe mënyra se si po e konceptojnë këtë sëmundje. “Ky lloj virusi ka shumë të rëndësishme të respektohen rregullat e higjienës, të evitohen vendet e populluara, e masa te tjera që qytetarët tashme i dinë nga informacionet e bollshme që janë vënë në dispozicion. Nuk ka nevojë të flitet për alarm, se me e rrezikshme se viroza është psikoza”, përfundoi ajo.

Situata

Kujtojmë që deri më tani paraprakisht përhapja e të infektuarve sipas zonave në Itali raportohet:

Lombardia (403 të infektuar dhe 14 të vdekur)

Veneto (111 të infektuar dhe 2 të vdekur)

Emilia Romagna (97 të infektuar dhe 1 i vdekur)

Liguria (19 të infektuar)

Sicilia (4 të infektuar).

Lazio, Campania dhe Marche (të infektuar 3)

Toscana dhe Piemonte (të infektuar 4)

Tiroli Jugor, Abruzzo dhe Puglia (të infektuar 1).

fletkujdesemimjekja Italpacientëtprekur

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat