Një ditë pas manifestimit në bulevard, presidenti Ilir Meta ka zbardhur arsyetimin e dekretit që rikthen në Parlament ligjin e miratuar nga shumica, ku kreut të shtetit i hiqet eksluziviteti i betimit për gjyqtarët e lartë dhe gjyqtarët kushtetues.

Kreu i shtetit thotë se kjo lëvizje bie ndesh me nenin 129 të Kushtetutës, një prej neneve të pakta që nuk kanë ndryshuar në ligjin themeltar që prej vitit 1998, kohë kur u hartua dhe u hodh për votim në referendumin e 22 nëntorit të atij viti.

“Neni 129 i Kushtetutës është një ndër nenet e pakta të Kushtetutës sonë që përbëhet vetëm nga një fjali. Kjo dispozitë kushtetuese, që flet posaçërisht për betimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, e ka konsideruar kaq të veçantë e të rëndësishëm këtë moment për të legjitimuar fillimin e ushtrimit të detyrës për gjyqtarin kushtetues, sa është vlerësuar nga kushtetutëbërësi të vihet në një dispozitë më vete”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Sipas institucionit në fjalë ligji i miratuar bie po ashtu ndesh me nenin 4 të Kushtetutës, ku përcaktohet hierarkia e ligjeve, në krye të të cilëve qëndron pikërisht Kushtetuta. Kësisoj Presidenca shtjellon jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

“Përmbajtja e dispozitës kushtetuese nuk mund të mënjanohet, ose të tejkalohet duke u dhënë përparësi akteve juridike që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim rrjedh nga përmbajtja e nenit 4 pika 3 të Kushtetutës. Në rastet kur Kushtetuta le hapësira me qëllim delegimin e kompetencës ligjvënësit të zakonshëm, atëherë, nuk është e nevojshme referimi tek kjo dispozitë, pra e zbatimit të drejtpërdrejt të saj. Nëse ndodhemi para kësaj situate, është e pritshme që aktet normative që do të dalin për këtë qëllim të respektojnë hierarkinë e akteve normative”, thotë Meta.

Në sqarimin mbi dekretin theksohet edhe një herë se mazhoranca nuk i ka ndalur tentativat për uzurpimin e çdo pushteti, duke kulmuar me kapjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat