Situatë kaotike në gjimnazin e Fierit “Janaq Kilica”. Pas rikthimit në shkollë, një nxënëse sëmuret sërish. Drejtoresha e Arsimit Rajonal, Yllka Beci, tha se nxënësja ishte shtatzënë. Sqaron për “Shekulli”-n deklaratën e dhënë.

Reagon ZA Fier, MASR dhe Spitali Rajonal i qytetit

Enida Vërça

Dita e sotme nisi me përplasje në gjimnazin “Janaq Kilica”, Fier ku një gjimnaziste shfaqi sërish probleme shëndetësorë pas rikthimit në shkollë, ku një ditë më parë u helmuan 58 nxënës dhe 2 mësues. Lidhur me këtë ngjarje, drejtoresha e Arsimit Rajonal Fier, Yllka Beci deklaroi se vajza ishte shtazën dhe ndaj i kishte rënë të fikët. Pasi deklarata e mohua nga prindërit, Beci u shfajësua duke deklaruar se fjalët e saj janë keqinterpretuar në media. “Shekulli”, kontaktoi me Yllka Becin e cila pohoi sërish se deklarata e dhënë,  nuk i përkiste një nxënëseje, por një mësueseje të kësaj shkolle e cila ishte shtatzënë. “Dua ta sqaroj edhe njëherë këtë çështje. Ajo video është keqpërdorur. Nuk kam thënë që është shtatzënë një vajzë, për nxënësen, por për një mësuese. Nuk ka sesi unë të di për jetën e çdo nxënëseje në këtë shkollë”, sqaron ajo. Më tej, ajo pranon se nxënëses i ka rënë të fikët në mëngjes, kur ka hyrë në shkollë, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të ambientit. “Në këtë shkollë janë bërë të gjitha verifikimet. Nxënësja është dërguar në urgjencën e Spitalit të Fierit, por kjo nuk ka lidhje me helmimin e ndodhur. Mund të jetë emocionale, mund të jetë për shkak të qëndrimit pa ngrënë. Shpesh na ndodh të dalim pa mëngjes nga shtëpia”, deklaron ajo më tej. Beci ndërkohë bën me dije se dy personat të cilët hodhën spraji me lëndë gazi, janë proceduar penalisht. “Janë marrë të gjitha masat për të vazhduar normalisht mësimi. Dy nxënësit janë proceduar penalisht”, thotë ajo.

Zyra Arsimore

Në lidhje me këtë situatë pak minuta më parë ka reaguar edhe Zyra Arsimore Fier nëpërmjet një deklarate. Në fjalën e tij, institucioni thotë se  nxënësja është mirë nga gjendja shëndetësore dhe i është rikthyer mësimit. Sakaq ZA justifikon edhe deklaratën e drejtoreshës së këtij institucioni, duke thënë se e ndodhur mes situatës kaotike prindërit tentonin të futeshin në mjediset e shkollës, dhe nevojitej që të qetësoheshin sa më parë, me termin ‘vajzë’ nuk iu drejtua mësueses. “E tensionuar nga kjo situatë, Znj. Beci, në një komunikim me prindër e gazetarë është shprehur se nuk ka vend për panik, pasi nuk ka asnjë ngjarje të pazakontë në mjediset e shkollës, duke shtuar se ambulanca ka mbërritur për të marrë një vajzë që ndjehej keq. E ndërsa për në Spitalin Rajonal Fier është shoqëruar një nxënëse e shkollës, drejtuesja e arsimit, më parë ishte informuar se një mësuese shtatzënë, kishte shfaqur probleme, çka ka bërë që të krijohet edhe një keqkuptim. Drejtuesja e Zyrës Arsimore, me fjalën “vajzë” i referohej mësueses shtatzënë, dhe jo nxënëses e cila u shoqërua me autoambulancë në spital. Zyra Arsimore Vendore Fier, është pranë nxënësve dhe stafit mësimor për tejkalimin e kësaj situatë, ndërsa pritet që organet kompetente të zbulojnë të vërtetën e të gjithë kësaj ngjarje që ndodhi në një nga shkollat e mesme më të mëdha dhe më me emër në qytetin e Fierit”, deklaroi ZA, Fier.

MASR

Një reagim të pak minutave më parë ka ardhur edhe nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Ajo ka deklaruar se nuk do të lejojë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në gjimnazin “Janaq Kilica”. “Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës. Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtë-parlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore”, thotë ajo.

Ngjarja

Mëngjesin e djeshëm 58 nxënës dhe 2 mësues kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen, shenja helmimi dhe të vjella gjatë procesit mësimor, si pasojë e hedhjes së sprajit me lëndë gazi. Referuar komunikimit të mjekëve të spitalit të Fierit, të rinjtë u shfaqën me probleme në frymëmarrje dhe ankth. I kontaktuar nga “Shekulli”, toksikolog Lulzim Banushi tha se gjendja e tyre shëndetësore u përmirësua shpjet. “Është një situatë normale. Ata si fillim shfaqën simptoma si lotim i syve, kolla, me vështirësi në frymëmarrje. Janë simptoma jashtë rrezikut për jetën. Pjesa më e madhe tyre ishin të renduar psikologjiksht, kjo ishte rëndesa më e madhe”, bëri me dije ai. Në lidhje me nxënëset e dërguara ditën e stome në urgjencën e spitalit, ai deklaroi se nuk kanë patur asnjë rrezik dhe ishte një situatë kalimtare”, tha ai. Kujtojmë që kjo situatë është përsëritur një javë më parë, ku 7 nxënës u paraqitën në spital me kollë dhe probleme në frymëmarrje.

“Janaq Kilica”FierYllka Beci

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat