Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK Ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila akuzohet se ka abuzuar me tenderin 1.5 milion  të ushqimit.

Me një njoftim për mediat, ndërsa bën publike disa dokumente, PD thekson se ky tender është një “aferë e pastër korruptive dhe klienteliste”.

“Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Kompania “Eurovia” është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore”, argumentohet mes të tjerash në deklaratën e PD-së.

Deklarata e plotë:

Pas dokumentimit të skandalit me tenderin e blerjes së ushqimeve nga Ministria e Mbrojtjes, ku një kompani elektronike dhe ndërtimi, u shpall fituese për tregimin e ushqimeve, në kundërshtim me ligjin, Partia Demokratike e Shqipërisë do të paraqesë nesër në mëngjes kallëzim penal në SPAK ndaj Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterash, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se:

  1. Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Kompania “Eurovia” është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore.
  2. E njoftuar parapakisht për hapjen e këtij tenderi, në datë 19 Mars 2020, pra vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “Eurovia” shpk, dega Shqipëri, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore. Vetëm 6 ditë pas këtij modifikimi, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, ajo shpallet fituese e tenderit 1.5 milionë euro të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për paketat ushqimore.

Organi i prokurorisë duhet të veprojë me urgjencë për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të kujtdo që, edhe në kohë pandemie vjedh. Në këtë kohë krize është e domosdoshme mirëmenaxhimi i fondeve publike dhe rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore.

Në tenderin e Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka rezulton e provuar kryerje e tre veprave penale dhe konkretisht: “Shpërdorimi i detyrës”; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë; parashikuar nga nenet 258, 258 dhe 260 të Kodit Penal.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat