është e mjaftueshme paketa e dytë financiare dhe a ka akoma persona që janë lënë jashtë saj, si duhet të veprojë Qeveria në vazhdim? Flet për “Shekulli”-n eksperti i ekonimisë Selami Xhepa.

Briselda Hoxha

Qeveria, ditën e djeshme ka prezantuar paketën e zgjeruar e ndihmës financiare për shkak të pasojave të shkaktuara nga masat shtrënguese për përhapjen e COVID-19. Kjo paketë ka në dispozicion 70 milionë euro të cilat do të shpërndahen për 176 mijë individë, ku përfitues do të jenë 10 mijë punonjës nga sektori i turizmit, 66 mijë punonjës që janë larguar e pezulluar nga biznesi i madh dhe 100 mijë punonjës në bizneset e vogla të cilët kanë punuar dhe nuk kanë përfituar nga paketa e parë. Sakaq, në një intervistë për “Shekulli”-n, eksperti i ekonimisë Selami Xhepa thotë se për shkak se ekonomia vazhdon të jetë e bllokuar më shumë se një muaj, ky është një veprim i detyrueshëm dhe mëse normal që të shtrihet mbështetja nga Qeveria, por sipas tij kjo nuk është një paketë e mjaftueshme sepse duhet të përfshihet edhe pjesa e personave që kanë punuar në të zezë, personat me ndihmë ekonomike pasi ajo ndihmë që merret është e pamjaftueshme dhe gjithashtu edhe komunitete të veçanta të cilat kanë nevojë për paketa mbështetëse si të gjithë të tjerët dhe jo vetëm ushqime.

Z.Xhepa, Qeveria hodhi hapin e dytë, duke prezantuar ditën e djeshme paketën e re ekonomike prej 70 milionë dollarësh për 176 mijë individë. Si e komentoni ju këtë, a është e mjaftueshme?

Mendoj që është një një veprim i detyrueshëm nga ana e qeverisë. Mos të harrojmë që ekonomia vazhdon që të jetë e bllokuar në pjesën më të madhe të veten që prej një muaji, kështu që është mëse normale dhe pritshme që kosot e kësaj pandemie duhet të ndahen edhe nga publiku në përgjithësi, pra të kemi një mbështetje publike për kategoritë e dëmtuara. Mendoj që kjo nuk bën gjë tjetër vetëm se zgjeron rrethin e përfituesve, pra nëse në paketën e parë ishin vetëm bizneset e vogla, mikro bizneset, në këtë rast përfshihen edhe bizneset e tjera të vogla që nuk ishin përfirues tek paketa e parë, ata që janë pushuar nga puna dhe gjithashtu ofrohet një lloj garancie sovrane në mbështetje të turizmit dhe fasonerisë, pra është një paketë e cila hyn tek veprimet normale që duhet të kryej Qeveria e vendit. Por në gjykimin tim personal, nëse është e mjaftueshme apo jo, unë mendoj se akoma ka pjesë të njerëzve të cilët duhet të përfshihen në paketë, pasi janë lënë jashtë saj. Në Shqipëri një pjesë e madhe e njerëzve kanë punuar në të zezë dhe nuk konfigurojnë askund, e unë mendoj se këto persona duhet të përfshihen në paketë pasi edhe ata janë qytetarë dhe njerëz me familje, kanë nevoja emergjente dhe nuk duhet të fokusohemi momentalisht tek deklarimi i punës apo denoncimi, pasi krijohet konflikt social. Kjo nuk është zgjidhje e problemit të momentit e nuk është mënyra e duhur, ky është thjeshtë një justifikim për të mos i mbështetur. Tjetër janë edhe njerëzit që janë me ndihma ekonomike të cilët unë mendoj se duhet të përfshihen, pasi ndihma e tyre është shumë e pamjaftueshme për të përballuar këto rrethana pasi edhe çmimet e mallrave bazike janë rritur dhe janë shtuar nevojat për shpenzime shtesë në lidhje me shëndetin, për këtë arsye kanë nevojë për mbështetje, gjithashtu edhe komunitete të vecanta si komuniteti romë kanë nevojë të përfshihen në paketë. Të gjithë këto, nuk kanë nevojë vetëm për paketa me ushqime siç u ofrohet, por kanë nevojë të mbështeten si të gjithë të tjerët.

150 milionë dollarë garanci sovrane për turizmin, fasonet dhe bizneset prodhuese. A mendoni se kjo gjë e ndihmon krizën ekonomike?

Mendoj që mbështetja me likuiditet dhe kreditim për aktivitetet ekonomike në përgjithësi në Shqipëri, për të gjithë sektorët e ekonomisë, duhet të jetë programi më madhor i Qeverisë. Unë mendoj se duhet një program që të ofrojë mbështetje pa kushte për një periudhë minimalisht deri në fund të këtij viti, në gjykimin tim ndoshta edhe për një periudhë 2-vjeçare, me norma interesi zero, të subvencionuara nga ana e Qeverisë. Pra që do të përfshinte një marrëdhenie 3-palëshe mes Qeverisë, sistemit bankar dhe bizneseve, ku Qeveria mbështet vetëm normën e interesit. Unë mendoj se kjo do të ishte ndihma më serioze dhe më e fortë për të rigjallëruar dhe njëherë veprimtarinë e sektorit prodhues.

Çfarë mund të themi për shtyrjen pagesës së këstit të tatim fitimit deri në 30 shtator për turizmin, fasonet e biznesin e vogël deri në 14 mln lekë në vit?

Efektivisht, nëse deri nga shtatori do të shikohet se veprimtaria ekonomike mund të mos ketë filluar, duhet parë riskedulimi edhe njëherë. Sepse nvse gjatë kësaj periudhe ata nuk kanë kryer aktivitete nuk ka si të paguajnë tatim-fitimin kur nuk kanë fitim, pra kjo do të shikohet dhe gjykohet kur të rifillojë ekonomia prap. Por kjo shtyrje për momentin i jep një lloj frymarrjeje sepse në fakt bizneset me atë pak likuiditet nuk dinë cfarë të bëjnë më parë. Një pjesë e bizneseve kanë probleme në shitjet në vendet e Europës, kështu që është krijuar një zinxhir borxhesh sidomos me ato që merren me veprimtaritë e tregtisë ndërkombëtare, por gjithsesi kjo shtyrje në kohë e lehtëson problemin por nuk e zgjidh.

Kryeministri tha se në datat 20-25 maj do të jetë gati paketa e tretë ekonomike e cila do të prezantohet. Duke marrë parasysh se cfarë është përfshirë në dy të parat, çfarë sugjeroni ju për paketën e tretë?

Unë mendoj që në paketën e tretë, nëqoftëse kjo situatë vazhdon, atëherë edhe grupet që kanë përfituar duhet të vazhdojnë të përfitojnë. Normalisht, paketa duhet të përfshijë përsëri këto grupe që janë përfshirë njëherë. Për shembull, paketa e tanishme përfshin vetëm një pagesë të njëhershme, pra vetëm 400 mijë lekë që do të jepen vetëm një herë, që do të thotë se nëse kriza do të vazhdojë, i bie që këto njerëz për 4 muaj të mbyllur në shtëpi kanë marrë vetëm 400 mijë lekë, që është shumë e pamjaftueshme. Kështu që, në varësi të situatës, duhet të ripërfshihen kategoritë që kanë përfituar në paketat e para gjithashtu edhe kategoritë që unë përmenda më sipër, pra një pjesë e madhe e njerëzve kanë punuar në të zezë dhe nuk konfigurojnë askund, njerëzit që janë me ndihma ekonomike të cilët unë mendoj se duhet të përfshihen, pasi ndihma e tyre është shumë e pamjaftueshme edhe komunitete të veçanta si komuniteti romë kanë nevojë të përfshihen në paketë.

FMN ka shtrirë fondet edhe në vendin tonë duke aprovuar ndihmën prej 190.5 milionë dollarë për Shqipërinë. Ky instrument është një borxh me interes 4%, me mbi 2% më shumë nga huaja që Shqipëria mori nga tregu i brendshëm para pak ditësh 100 milionë euro me interes 1.96 % , a jeni ju dakord me pranimin e borxhit nga FMN të qeverisë tonë?   

Nevoja për likuiditet sot është urgjente në të gjithë tregjet ndërkombëtare, mos të harrojmë se të gjitha paketat me miliarda dhe me triliona euro e dollarë të cilat po angazhohen nga qeveritë e vendeve përkatëse, kërkojnë financime nga agjentët e tregut dhe duke qenë se kjo lloj urie për fonde është globale, kam përshtypjen se do të ketë edhe probleme të rëndësishme edhe me financimin nga tregjet financiare të këtyre borxheve, kështu që në këtë kuptim, mendoj se cdolloj likuiditeti që mund të vij nga FMN apo nga organizma të tjerë, mendoj se duhet të merret në konsideratë. Pastaj, nëse Qeveria ka mënyra të tjera për të gjetur mundësi financimi me norma më të leverdisshme interesi, atëherë kjo është një leksion i menaxhimit në financë pasi normalisht duhet të shkosh aty ku kostoja është më e ulët. Pra nëqoftëse mundësitë janë për kosto më të lira, duhet të shkojmë patjetër drejt tyre. Lehtësitë që jep Fondi Monetar për të gjithë vendet e tjera anëtare, mendoj se vijnë në këtë frymë që unë përmenda pak më sipër, për të lehtësuar financimin në një kohë kur mbulimi me fonde apo gjetja e financimeve në tregje do të ketë vështirësi serioze.

Si e komentoni ju qëndrimin e Qeverisë ndaj situatës së krijuar nga COVID-19. Si ju duken masat e marra nga shteti ynë?

Përsa u takon masave shtrënguese, në gjykimin tim janë të domosdoshme në komunitetin e një vendi si Shqipëria që ka probleme serioze në infrastrukturën shëndetësore. Nëse gjendja do të agravohej seriozisht, atëherë do të kishim një dështim të sistemit, por siç u provua edhe në Itali, me sistemin shëndetësor ndër më të mirët në botë dhe ‘u gjunjëzua’, imagjino se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë. Në këtë kuptim, sakrifikimi i lirive të individit për të mirën publike, që është shëndeti i popullatës, është normale. Pastaj pjesa tjetër e menaxhimit, si gjithmonë në një vend si Shqipëria ka probleme. Duhet që të jenë ekspertët më në vijë të parë dhe jo vetëm një individ. Vendi nuk komandohet nga një njëri. Për shembull, në fushën e ekonomisë, nuk e dimë a ka një ekip pune, pra a ka një grup njerëzish që po punojnë apo pas disa mendimeve thjeshtë programohen dhe publikohen disa masa. Pra a po punohet nga ekspertët apo jo, kështu që mendoj se nga pikëpamja intitucionale, Shqipëria ka problemet e veta që i ka pasur gjithmonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All