Nga Erand Llanaj –

Gjatë javëve të fundit mbylljet dhe karantimet masive nëpër botë kanë filluar të hiqen ngadalë dhe kjo ka sjellë një mendësi të re: ‘virusi ka ikur!’

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e bëri të qartë se ‘ky virus mund të shndërrohet në një tjetër infeksion viral endemik që do të persistojë në komunitetet tona dhe ndoshta nuk do të ikë kurrë’. Këto ishin fjalët e Dr Michael Ryan, Drejtori Ekzekutiv i Programit të Emergjencave në OBSH. Njerëzit kanë filluar të mendojnë se është cështje kohe që do të dalë vaksina dhe virusi do zhduket. Mirëpo a është zhdukur fruthi, poliomieliti, SIDA edhe pse ekzistojnë terapi ose vaksina për to? Përgjigja është JO. Njësoj si në rastin e këtyre infeksioneve do të duhet të mësohemi me bashkëjetesën me virusin duke patur kujdes maksimal në këto momente, për një strategji zhdukjeje të tij afat-gjatë.

Drejtori i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus e tha qartë: ‘Trajektoria e deritanishme [e ecurisë së virusit] është në duart tona dhe është përgjegjësia e të gjithëve, të gjithë duhet të kontribuojmë në kontrollin e virusit’. Të njëjtën gjë përforcojë edhe Shefja e Epidemiologjisë në OBSH, Dr. Maria van Kerkhove duke thënë se: ’Nevojitet që të përshtatemi me mendësinë se do të marrë pak kohë deri sa ne të dalim nga kjo gjendje pandemie’.

Vende të ndryshme janë duke marrë masa të ndryshme edhe pse kjo është një gjendje pandemie dhe jo e lokalizuar. Rekomandimet e OBSH-së vazhdojnë të përforcojnë faktin se edhe pse shumë shtete kanë zgjedhur strategji të ndryshme dalje nga izolimi, duhet ende ‘të mbahet gjendja e kujdesit maksimal, në nivelin më të lartë të mundshëm’ thuhet në deklaratën e shefit të OBSH-së.

Ndërkohë Dr Ryan përtheksoi se edh pse ‘ekziston një i menduar magjik se mbyllja dhe izolimi masiv funksionojnë në mënyrë perfekte dhe se dalja nga izolimi do të shkoj mirë. Të dyja janë të mbushura me rreziqe!’

Mirëpo ajo që shihet është se në vendin tonë, pas një përpjekjeje të suksesshme për shmangjen e skenrit Lombardez apo Nju Jorkez, ekziston një rrezik serioz për të pasur më shumë infektime dhe vdekje se madje në periudhën e izolimit total! Kjo mbështetet nga të dhënat e publikuara zyrtarisht në www.coronavirus.al dhe nga ngjarje të afërta, që kanë shkaktuar grumbullime masive të njerëzve në një kohë kur kujdesi duhet shtohej dhe ndërgjegjësimi të rritej. Virusi nuk ka ikur! Në nivel global nuk kemi dalë ende nga vala e parë, kurse në nivel kombëtar Shqipëria ka 5 ditë rradhazi që ka mesatarisht më shumë raste të reja se gjatë gjithë periudhës së pandemisë dhe gjatë gjithë muajit Maj (Figura më poshtë).

Në këtë moment ri-hapjeje duhet të kujdesemi që sakrificat e 99% të bashkëqytetarëve tanë të mos shkojnë dëm. Pavarësisht se cila do të jetë ecuria e daljes nga izolimi i valës së parë, jetët tona do të duhet të përshtaten me kushtet aktuale dhe dalja nga izolimi do të jetë një proces provo-dhe-gabo deri sa ta përsosim! Ato janë përshtatur deri diku, edhe pse jo plotësisht. Megjithatë kjo të bën të mendosh: a duhet të fillojmë ti përshtatemi jetës në kushtet e COVID-19?

Ndoshta shumë shpejt mund të kemi një vaksinë apo trajtim, por për momentin duhet të marrim pjesë të gjithë aktivisht në frenimin e infeksionit dhe mbrojtjen e jetës së atyre që janë më vulnerabël. Kjo nuk është hera e parë që ne si komb përballemi me sfida të tilla. Kjo gjendje duhet të na bëjë të reflektojmë si shoqëri për hapat që duhet të ndërmarrim për pandeminë e radhës në të ardhmen nga një SARS-CoV-3 i mundshëm – e të investojmë seriozisht në infrastrukturën dhe kapacitetet e shëndetit publik, sistemit shëndetësor, epidemiologjisë dhe në përgjithësi Shkencës në Shqipëri, pasi është e mundur (figura më poshtë).

Shoqëria jonë është me fat, sepse ka shkencëtarë: mjafton të hapni televizorin apo internetin dhe të krenoheni me thesarin shqiptar shkencor brenda dhe jashtë vendit! Në këto momente, po futemi ngadalë në një epokë tjetër, nëpërmjet portalit ndër-dimensional të COVID-19 dhe po vendosemi përpara zgjedhjes, se si do të duam të duket Shqipëria pas kalimit në këtë portal… që në skenarin hipotetik të së ardhmes, kur SRAS-CoV-3 i mundshëm apo një pandemi tjetër e radhës të godasë, ne si shoqëri të jemi në gjendje ta kontrollojmë brenda pak javësh e të vazhdojmë jetët tona sikur të mos ketë ndodhur asgjë!

Zgjedhja ende mbetet brenda nesh dhe pyetja që shtrohet është: A do ti japim vetes si vend dhe njerëzim arsye për të qenë krenar për zgjedhjet tona kolektive apo jo?

Burimi: Heda.al

Flash Lajme

Më të lexuarat