Eruditi i shquar shqiptar, Moikom Zeqo, u nda nga jeta ditën e sotme pas një kalvari të gjatë me një sëmundje të pashërueshme. Pavarësisht se ai vuante prej kohësh nga leucemia kronike limfatike nuk ndali për asnjë moment së punuari, së ndari dijet e tij dhe së kritikuari për gjithçka që nuk shkon siç duhet në Shqipërinë tonë të vogël.

Si një njeri me vlera të larta ai kontribuoi në disa fusha të artit: letërsi, arkeologji, kinematografi dhe pikturë. Gjatë jetës së tij, Zeqo krijoi miq të shumtë, të cilët sot ndjejnë keqardhje për largimin nga kjo jetë të njeriut modest dhe personit më mendjendritur. Miq të tij të shumtë kanë shprehur hidhërimin e thellë përmes postimeve në rrjete sociale, duke treguar edhe takimet apo telefonatat e fundit me të. Disa prej tyre e kanë kujtuar me poezinë e tij “Ka një mrekulli të vdekjes”, që sot dhemb e prek më shumë se kurrë.

Flutura Açka

Pusho në paqe, Miokom! Ti mendje brilante. Një i urtë i patëdytë, që i bëri shërbimin kombit deri në fund, ndër të paktët që nuk kërkoi kurrë, që dha shumë dhe që do t’i mbetemi borxh po aq shumë… Një nga intervistat e tij të fundit e dha ne sallën e Teatrit Kombëtar, pak javë para shembjes.

Poezi e Moikom Zeqos:

Ka një mrekulli të vdekjes

Ka një mrekulli të vdekjes të sakte si ligjet

kur trupat tanë do të shpërbëhen në elemente

të natyrës,

ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,

si humus e kripëra te rrënjët e një bime,

që ajo të lulëzojë e të hapi petale

e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime.

Do të na lulëzojë eshtrat…

Ajme! Po shpirtrat vallë?

Si krijesa ajri do të enden nëpë re,

përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!

Alda Bardhyli

Sot kultura shqiptare humbi një nga dashnorët më të mëdhenj të saj. Poet, studiues, piktor Moikom Zeqo ishte një artist gjithnjë i trazuar, gjithnjë në kërkim të universeve të reja të artit, deri këtë mëngjes ku u shua përgjithmonë! E paimagjinueshme, do më shkruante bashkëshortja e tij Lida, teksa më dha lajmin e kësaj ikjeje. Po e paimagjinueshme kultura jonë pa zërin e Moikom Zeqos.

Lamtumirë i dashur Moikom!

Erion Kristo

Sot u zgjova me një lajm të hidhur. Miku im i vjetër Moikom Zeqo ndërroi jetë. Dhimbje e madhe kjo humbje e njërit prej njerëzve më eruditë të shqiptarëve. Njohës i letërsisë, filozofisë, historisë, pikturës, albanologjisë, ai ishte dhe lëvrues i këtyre lëmive. Autor i dhjetëra librave. Ngushëllime për familjen dhe atdhetarët, sepse pa dyshim që Moikomi ishte një i tillë.
E kam njohur Moikomin qysh fëmijë, kur lexova librin e tij me Guraksin. Legjendat ilire ishin të paharrueshme. Më pas u takova me të dhe familjen e tij në Romë. Libri që më dhuroi mbi politikën dhe fjalimet e tij ishte ndriçues. Aty kuptova lëmshin politik shqiptar që nuk u shtjellua kurrë. Punuam bashkë pas ’97 së famshme. Ai ishte drejtor i Muzeut Historik. Zyra e tij ishte si vend pelegrinazhi për gjithë njerëzit që hynin e dilnin aty, sikur ishte stacion treni. Ata vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Miqësia me Moikomin vijoi për vite me radhë. Më dhuroi libra pa fund. Isha në krahun e tij kur e sulmuan dhe jam krenar. Por dhe ju e mbrojtët. Nuk është se Moikomët mbijnë në pemë. Do na dhembë ikja e tij, dhe jo vetëm familjes. Ai iku si gjysh i bukur dhe la një bibliotekë me vepra. Më erdhi shumë keq me veten, përse nuk ia bëra një telefonatë këto ditë. Ia kërkova numrin Lidës ta uroja për ditëlindjen. Thjesht doja ta mbaroja së lexuari veprën e tij të fundit. Duhej ta kisha marrë. Më mbeti peng tani. 71 vite janë pak, por ai i jetoi në maksimum. Mbrojtja që tash së fundi i bëri figurës së Gjergj Kastriotit ishte e pashoq. Uroj që shteti që nuk u kujdes për të, të kujdeset të paktën tani. Nuk do jetë harxhim i madh. Nuk ka shumë Moikomë. Lamtumirë mik i dashur. Ngushëllime familjes dhe dashamirësve.

Josif Papagjoni

Moikom Zeqo, një nga miqtë e mi më të mirë të jetës me të cilin jam ndjerë krenar, ka ikur sot në mëngjes. Lajmin ma dha miku im Ferid Hudhri. Më mbeti merak se në kohën e pandemisë e kishim lëne të pinim një kafe të tre si përherë. Do ta pinim te shtëpia e Pandeli Koçit, pastaj e lame për më vonë se ishte si i pamundur. Kur të kthehem nga Saranda do ta pimë një kafe për qejf të tre me Feridin, i thashë. Dhe kafja s’u pi… U shua një zemër e madhe. U shua një mik i madh, prania e të cilit na nderonte të gjithëve. U shua një nga mendjet e rralla të kombit. Një diturak i paarritshëm. Një shkrimtar, krijues, poet, studiues, arkeolog, mitolog, historian, ku dija ecejakej mes gishtash. Kishte në shpirt aq shumë mirësi. I palodhur në pune, gjer në çastin e mbarmë të jetës duke shkruar. Ndofta i vetmi në hapësirën tonë si shqiptarë me një prodhimtari botuese të jashtëzakonshme, mbi 100 libra, ku plikseshin lami, dije, argumente të ndryshme. Unë kam shkruar dhe një libër-monografi për te, “Who is Who”, te cilin e kishim lënë ta ribotonim me disa shtesa përkatëse. Në kujtim të tij po risjellë vetëm diçka nga ky libër…

Marin Mema

Vetëm pak ditë më parë ishim bashkë profesor, ishim bashkë për të realizuar një dokumentar që ti e kishe shumë për zemër. Pavarësisht problemeve të shumta prej një kohe të gjatë ti nuk u ndale asnjëherë… Ti e doje Shqipërinë, shqiptarët, historinë dhe trashëgiminë tonë. Shpirti yt nuk vdes, por përkundrazi do të qëndrojë aty për të ndriçuar e ndihmuar këdo që e do vërtetë këtë vend.

Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

Luan Rama

Në Lisbonë me Moikomin, në timonin e lundërtarëve të parë portugezë që zbuluan brigjet e Amerikës; me Moikomin, dashnorin e detit. Shko mik i dashur bashkë me trishtin e madh të kohës që jetove, në kërkim gjithnjë të detrave të së panjohurës. Shko poet nëpër dallgë, ti që i këndove stuhive dhe që përsëri drejt stuhish shkon!…

Dom Gjergj Meta 

Ekziston një njohje e njerëzve përtej asaj çka shkruajnë e çka thonë.

Në bisedat me Moikomin më thonte gjithmonë: kam përpara priftin dhe për këtë arsye fliste pa doreza, pa frikë të thonte edhe çka nuk gjendet në librat apo në shkrimet e tij.
Sidomos kjo ndodhi në bisedën e fundit të gjatë kur ishte i sëmurë para disa muajsh. Ishte një bisedë testament, me ndërgjegje në dorë.

Pushofsh në paqe mik i dashur!

Adriana Puleshi

Nuk ja dole dot i dashur Moikom Zeqo! Ishim me fat që të kishim,dhe të kemi përmes veprave shumëplanëshe që i late popullit,Shqipërisë.I paharruar përjetë profesor i nderuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All