Është vendosur ditën e sotme masa e sigurisë për Viktor Markun, i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Billës më 11 qershor te Komuna e Parisit. Gjykata tha masën e sigurisë “Arrest me burg” për Markun, i cili u arrestua ditën e premte në Mal të Zi dhe më pas u soll në Shqipëri për t’u vënë para drejtësisë.

Kujtojmë se ditën e djeshme, para trupit gjykues, Viktor Marku i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe kërkoi kapjet e autorit të krimit.

“Policia të thotë çfarë të dojë, unë s’kam vrarë njeri. Ditën e vrasjes dhe deri kur më arrestuan kam qenë në Mal të Zi. Të gjejnë autoret,”-tha Viktor Marku ditën e djeshme.

Viktor Marku është vëllai i 22-vjeçarit të vrarë në tetor të 2006 në Angli nga Hekuran Billa. Ai dyshohet të ketë gisht në vrasjen e 40-vjeçarit kuksian pikërisht për hakmarrje.

Sipas sistemit TIMS, Marku rezulton të ketë dalë nga Shqipëria nga pika e Muriqanit për në drejtim të Malit të Zi, në 19 janar 2020. Por një dëshmitar ka thënë se Viktor Marku gjatë këtyre muajve ka qenë në Shkodër pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë “Smart”.

Ndërsa ditën e diel u njoh me masën e sigurisë nipi i tij, Sebastian Mali, 22 vjeç, të cilit iu dha masa e sigurisë “Arrest me burg”. 22-vjeçari dyshohet të ketë bashkëpunuar me ekzekutorin e Billës, duke e ndjekur dhe raportuar çdo lëvizje të tijën.

Si ndodhi ekzekutimi i Hekuran Billës

40-vjeçari Hekuran Billa u ekzekutua brenda makinës së tij përballë qendrës Kristal në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë mbrëmjen e së enjtes. Billa sapo ishte kthyer nga Durrësi pasditen e së enjtes dhe e kishte  parkuar  automjetin e tij përballë hyrjes së qendrës Kristal në Komunën e Parisit pasi do të takonte motrën e tij, e cila ka një dyqan pranë kësaj qendre tregtare. Pikërisht ai ka qenë momenti  kur autorët kanë qëlluar në drejtim të tij me rreth 30 plumba duke e lënë të vdekur në vend.

Autorët më pas janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre dhe 30 minuta më pas, policia arriti të gjejë në fshatin Pezë të vogël një makinë duke u djegur, e cila u dyshua se i përkiste  autorëve.

Brenda saj, grupi hetimor dhe ekipi i kriminalistikës gjeti edhe një armë të tipit MP5, me të cilët mendohet se autorët kryen ekzekutimin e Billës. Sakaq ditën e sotme është zbuluar edhe videoja e plotë e atentatit ndaj Billës. Një kamerë sigurie e një biznesi përballë rrugës së qendrës tregtare Kristal e ka kapur momentin se si autorët qëllojnë Hekuran Billën dhe largohen, ndërkohë që makina tip BMW X5 e Billës përplaset me bordurën dhe dy makina para saj.

Sipas burimeve, viktima kishte vetëm pesë ditë që kishte hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Morinit, pasi rezulton që të ketë qenë më herët në Belgjikë, por arsyet e udhëtimit të tij ende janë të paqarta.

Pistat e hetimit

Pista kryesore ku u përqëndruan hetimet ishte e shkuara e Hekuran Billës, pasi ai rezultonte të ishte me precedentë të theksuar kriminalë. Kujtojmë se në vitin 2006, Billa ekzekutoi me breshëri në një lokal në Angli, shtetasin Prel Marku ndërsa la të plagosur tre të tjerë,  Musa Rrahmanin, Petrit Brahoj dhe Agron Gjonin. Për këto vepra penale, gjykata në Angli e dënoi Hekuran Billën me burgim të përjetshëm, ndërsa nëntë vite më pas me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare, në vitin 2016 ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Në Shqipëri Billa kërkoi një tjetër proces gjyqësor për njohjen e vendimit. Gjykata shqiptare ia konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg duke u bazuar ne legjislacionin shqiptar, për veprën penale që ai akuzohej. Pasi mori këtë vendim tre vite me vonë, Billa bëri sërish një kërkesë ne gjykatë për tu liruar me kusht dhe ia arriti të merrte lirimin me kusht në janar të  vitit 2019. Sipas të afërmve të tij 40-vjeçari Billa së fundmi kishte nisur të hapte edhe një biznes të tijin së bashku me një ortak për makinat me qira, por që nuk arriti dot kurrë ta vinte në funksion.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat