Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zbuloi sot se kërkesa e kryeministrit Rama për heqjen e koalicioneve parazgjedhore ka qenë shumë më e hershme sesa ta kërkonte vetë opozita parlamentare.

Sipas tij, për një muaj me radhë Rama i ka dërguar ndërmjetësit e tij me një kërkesë.

Basha: Për një muaj e gjysmë Edi Rama ka dërguar çdo ditë ndërmjetësit e tij pothuajse çdo ditë me të njëjtin mesazh.Ti Kryeministër, unë President, vetëm të heqim koalicionet. Edi Ramës nuk i bëhet vonë për njerëzit, merakoset vetëm për pushtetin e tij. Kështu e shikon Edi Rama politikën, si një pazar të ndyrë, si një lojë me porta të vogla për të vjedhur dhe zhvatur Shqipërinë siç ka bërë në këto 7 vite e gjysmë.

Basha tregoi edhe periudhën kur ka ndodhur dhe përgjigjen e dhënë prej tij.

Basha: Bëhet fjalë për tani, periudha mars-prill-maj. Pazar kërkoi, por pazar nuk mori dhe nuk do të marrë kurrë.

Por ndërsa Rama u deklaruar sot pro hapjes së listave, përmes të cilave tha ai pamundësohet edhe skema e koalicioneve, Basha pati një paralajmërim për atë që e cilësoi Kryeministri në ikje.

Basha: Kryeministri në ikje nuk e prek dot Kushtetutën me 122 deputetë, nga të cilët gjysma nuk përfaqësojnë askënd përveç paratë e Taulant Ballës dhe favoret me të cilat janë blerë e shitur.Çdo hap në këtën drejtim është fund i marrëveshjes së 5 qershorit, dhunim flagrant i konsensusit të arritur për Shqipërinë dhe shqiptarët. PD nuk e ka përjashtuar kurrë diskutimin për sistemin, e kam bërë të ditur preferencën time për një mazhoritar të pastër dhe parlament me dy dhoma. Jemi të vendosur që një diskutim të tilla ta bëjmë por jo me Balla-opozitën tre javët e fundit të korrikut, me gjithë shqiptarët. Dhe vendimmarrja i takon të gjithë shqiptarëve përmes një referendumi popullor.Vendimi i takon shqiptarëve dhe jo një njeriu të tmerruar nga rezultati që e pret në zgjedhjet e ardhshme.

Basha e akuzoi Ramën për shembje të marrëveshjes së 5 qershorit, duke risjellë në vëmendje edhe reagimin e Komisionerit për Zgjerimin.

Basha: Komisioneri për zgjerimin u bë zëri i katërt në harkun kohor të tre ditëve që paralajmëroi kundër ndryshimeve të njëanshme dhe kërkoi respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Ky ndryshim i njëanshëm e zhvlerëson marrëveshjen e 5 qershorit por edhe rrezikon atë minimum normaliteti për një proces elektoral dhe padiskutim hedh në erë mundësinë e Shqipërisë që të bëjë përpara me integrimin europian.

Shefi i opozitës garantoi se Rama nuk e pengon dot rrotacionin politik.

Basha: Nuk ka cirk që e ndal rrotacionin politik, e vetmja gjë ku jemi investuar ne si opozitë është që ta sjellim këtë rrotacion me sa më pak kosto për vendin. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Ku pika dy e konkluzioneve të marrëveshje përjashton mundësinë e njëanshëm të sistemit zgjedhor.

Flash Lajme

Më të lexuarat