NATO është duke shqyrtuar mundësitë për ta transformuar bazën detare të Pashalimanit në Vlorë në një projekt model të saj. Ky fakt është zbuluar nga ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila bashkë me ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e kanë vizituar këtë bazë.

Ministrja Xhaçka deklaroi me këtë rast se Shqipëria bashkë me SHBA-në nuk ndajnë vetëm misione të rëndësishme operacionale, por edhe qëllime për modernizimin e Forcave të Armatosura (FA) të Shqipërisë.

“Me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, zhvilluam një vizitë në Bazën Detare të Pashalimanit, për të cilën bashkë me Aleancën po vlerësojmë mundësinë e modernizimit dhe transformimit në një projekt model të NATO-s. Me pas, një udhëtim i shkurtër në Gjirin e Vlorës u mundësua nga anija Butrinti P-134, e cila ka marrë pjesë disa herë në operacionin “Sea Guardian” të NATO-s në detin Egje, duke shpëtuar me qindra emigrantë. Me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndajmë jo vetëm misione të rëndësishme në teatrot operacionalë, por edhe qëllimin e përbashkët për modernizimin e Forcave tona të Armatosura”, deklaron ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Në tetor të vitit të shkuar, ministrja Olta Xhaçka i është drejtuar përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Evropën, gjeneralit amerikan Tod D. Wolters, duke ia parashtruar planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga NATO. Ministrja Xhaçka u ka bërë të ditur drejtuesve të NATO-s se Shqipëria është gati për zbatimin e një plani të përbashkët për zhvillimin e bazës detare për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nëse do të pranohej një kërkesë e tillë nga NATO, atëherë do të ishte e vetmja nga Aleanca në Ballkan për t’iu përgjigjur sfidave të emigracionit, apo sigurisë nga kërcënimet.

E, në një përgjigje të kësaj kërkese, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi nga Brukseli se ekspertët e Aleancës po e vlerësojnë dhe do ta marrin në konsideratë një gjë të tillë. “Autoritetet ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si baza detare e Pashalimanit mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, konfirmoi një zëdhënës i Aleancës në Bruksel.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.

Flash Lajme

Më të lexuarat