Sot KQZ do të zhvillojë një mbledhje rreth orës 12:00, për të zëvendësuar katër deputetët të LSI-së të cilët kanë shprehur vullnetin për të marrë mandatet e ‘djegura’ të kolegëve të tyre.

Kryemadhi e konsideron tradhti këtë akt, ndërsa paralajmëron të rinjtë e kësaj forcë politike që të bëjnë kujdes në raste të tilla

Lindita Bushgjokaj  

Nuk dihet sa i madh do jetë numri i kandidatëve në lista që do pranojnë të marrin mandatet për deputetë që la opozita, por këta të katër do mbahen mend si ata që hapen rrugën dhe tashmë detyrojnë koalicionin opozitar të kalojnë në planin B, nëse ka një të tillë. Gjithsesi duhet pranuar që duke lënë mënjanë parimet, shansi për të qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë vjen vetëm një herë në jetë. Kjo, sidomos kur presioni i LSI, i partive të tjera të vogla dhe i shoqërisë civile për ndryshimin e kodit zgjedhor është i madh. Të pabindurit nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet që të hënën të marrin mandatin e deputetit. Të premten 4 kandidatë nga lista e LSI dorëzuan formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të nisur edhe procedurat për marrjen e mandatit. Këto 4 deputetë të rinj do t’i bashkohen 2 deputetëve Muslim Murrizi i PD dhe Lefter Koka i LSI që nuk pranuan të dorëzojnë mandatin. Në Qarkun e Tiranës Floida Kërpaçi do të zëvendësohet nga kandidati i listës së LSI, Ylli Shehu. Mandati i Endrit Braimllarit do t’i kalojë Edmond Rrushit, i cili ndodhet i dhjeti në radhë në listën e LSI. Por numri i deputetëve që vjen nga kjo parti në Qarkun e Tiranës pritet të rritet, pasi edhe Ralf Gjoni nuk e ka mohuar marrjen e mandatit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i japë Aurora Mares mandatin e lënë nga Përparim Spahiu në Qarkun e Dibrës. Ndërsa në Elbasan mandatin e LSI të Edmond Haxhinastos do ta marrë kandidati që vjen pas tij Enver Roshi. Nuk janë vetëm kandidatët e LSI që kanë dalë kundër vullnetit të partisë së tyre pasi edhe Zana Prela, Ligoraq Karamelo dhe Lefter Maliqi nga PD nuk kanë firmosur dorëheqjen nga mandatit.

Refuzimi

Komisioni i Zgjedhjeve do të vijojë të kontaktojë dhe njoftojë të gjithë kandidatët në lista për tërheqjen e mandatit, dhe nga ky njoftim ata kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Sipas ligjit, ata përjashtohen vetëm kur përmbushet kjo procedurë, dhe këtu vihet në pikëpyetje nëse KQZ do të pranojë në bllok dorëheqje kandidatësh, siç PD ka dorëzuar dy ditë më parë dosjen me dorëheqje kandidatësh nga listat e PD, ende pa u shkuar thirrja nga KQZ. KQZ pret 10 ditë deri në momentin e dorëzimit të formularëve nga ana e kandidatëve, edhe në rast të mosdorëzimit të formularit, atëherë quhet refuzim i mandatit dhe rinisin njoftimet për kandidatët pasues në lista, deri në përfundim të të gjithë emrave në lista. Nga Kuvendi dolën, PD dhe aleatët e djathtë, dhe LSI. Kundër vendimit të partive, dolën Lefter Koka i LSI-së dhe Myslim Murrizi i PD-së, të cilët nuk hoqën dorë nga mandati i deputetit. Ndërkohë, Rudina Hajdari e PD-së, ka dhënë sinjalet se nuk do të dorëzojë mandatin.

Mbledhja e KQZ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e hënë , ora 12:00, zhvillon mbledhjen me 6 pika në rendin e ditës, ku 4 prej tyre kanë të bëjnë me dhënien e mandatit për deputetë kandidatëve të listave të LSI-së. I pari është ish-deputeti Endrit Brahimllari që zëvendësohet.  “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Qarku Tiranë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas dorëheqjes nga mandati i deputetit, z. Endrit Vullnetar Braimllari”, shkruhet në këtë njoftim. Ndërkaq, pas tij renditet për zëvendësim ish-deputeti Spahiu. “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Qarku Dibër, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas dorëheqjes nga mandati i deputetit, z. Përparim Islam Spahiu”, nënvizohet në këtë njoftim, ku nuk thuhet emri i zëvendësuesit. Pas tyre renditen mandatet e lëna nga deputetit i Elbasanit, Edmond Haxhinasto dhe deputetja e Tiranës, znj. Floida Fadajev Kërpaçi.

Vazhdon regjistrimi i partive për zgjedhjet vendore

Pas partisë së Gjelbër pritet të regjistrohen për zgjedhjet vendore të 30 qershorit edhe Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë si dhe Partia Kristian Demokrate. Kjo e fundit ka qenë e përfaqësuar në parlamentin e kaluar me Arben Frrokun dhe në mungesë të tij mandatin e e mori Mark Frroku, që më pas bëri dorëheqje për shkak të arrestimit. Në njoftimin e KQZ për rendin e ditës thuhet se një pikë do të jetë “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor, “Partia Kristian Demokrate” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

Pranuan mandatin, Kryemadhi: Tradhtarë! S’jua falim!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i quan tradhtarë kandidatët që pranuan mandatin e deputetit. Këtë deklaratë, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka bërë ditën e djeshme, gjatë një takimi me të rinjtë e kësaj forcë politike. Ajo ka një paralajmërim të fortë për ata që joshin kandidatët e listës për deputetë të kësaj force, disa prej të cilëve kanë pranuar mandatin duke zëvendësuar të dorëhequrit. Duke iu drejtuar atyre që kontaktojnë kandidatët e LSI-së, Kryemadhi tha të mos guxojnë t’u afrohen dhe të qëndrojnë larg. E për ata që e kanë pranuar tashmë, i tha se nuk do iu falet. “Në një farë mënyrë dua të falënderoj të gjithë kandidatët e LRI-së, të cilët jo vetëm që nuk u joshën nga paratë e drogës dhe nga paratë e bankave të vjedhura por përveç asaj qëndruan përballë çdo presioni dhe po i them të gjithë atyre që kontaktojnë kandidatët e LSI-së mos guxojnë t’ju afrohen, sepse të gjithë i mbajnë mend që kur keni qenë në pushtet, kur keni pasur mundësi jo vetëm që nuk iu keni hapur telefonin njerëzve të LSI-së por përkundrazi i keni rrjepur ata. Kështu që qëndroni larg. Njerëzit për momentin mund t’ju duket sikur ju kanë harruar fytyrat por fjala e urtë ‘ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron’, ne e dimë shumë mirë. Për të gjithë ata që kërkojnë të përdorin emrin dhe simbolin e LSI, të jenë të kujdesshëm sepse nuk ka për tua falur asnjëri. Logoja e LSI-së, flamuri i LSI janë simbole të paprekshme e të pacenueshme. Mëkatet e njerëzve që hyjnë dhe dalin në listat tona ne do t’i paguajmë, por edhe një gjë. Tradhtinë të gjithë e përdorin, por tradhtarin asnjë nuk e do. Unë uroj që të kemi një punë shumë e madhe por shumë e bukur sepse forca, entuziazmi, dëshira për t’i bërë gjërat siç duhen do jetë e jashtëzakonshme do sjellë ndryshimin. Shqipëria do futet drejt rrugës së stabilitetit dhe Bashkimit Evropian”, tha Kryemadhi para të rinjve të LRI.

Protestat

Sa i përket protestave që opozita ka paralajmëruar të mbajë kundër qeverisë, këtë radhë kryetarja e LSI-së tha se janë marrë masat për të përballuar gazin lotsjellës që policia ka hedhur në rastet kur protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë. “Jo gaz lotsjellës të përdori Sandër Lleshi me lleshët e tij, ne i kemi marrë masat dhe do të përballemi me ta”. Të rinjve të LRI-së, Kryemadhi u bëri thirrje të nisin fushatën, por jo për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, por për zgjedhje të parakohshme që sipas saj do të mbahen në fund të muajit maj të këtij viti. I ka premtuar se në listat e deputetëve do të jenë edhe të rinj të LRI-së. “Angazhimi i strukturave rinore me përgatitjen e kandidatëve tanë për komisionerët, zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në fund të majit. Nga çdo anë morale, institucionale dhe fizike, parlamenti shqiptar nuk ka për të funksionuar, tha Kryemadhi. Ajo theksoi se përplasja e LSI-së nuk është me ndërkombëtar, por me atë që Kryemadhi e quajti sekt kriminal që ka kapur ekonominë, shtetin, qeverinë dhe parlamentin. Ajo deklaroi se sot jemi përballë një grushti njerëzish që përfaqësojnë ideologji kriminale, përfaqësojnë krimin e organizuar që ka ndërtuar kështjellën mbrojtëse në Shqipëri. “Përplasja jonë nuk ka të bëjë me Europën e as ndërkombëtarët por me këtë sekt kriminal që ka kapur drejtësinë shqiptare, shtetin, qeverinë, institucionet shqiptare. Kemi dëgjuar se si ndihma ekonomike do kishte një rishpërndarje por u zvogëlua, u përjashtuan familje dhe sot shqiptarët janë më të varfër se ç’kanë qenë 5-6 vite më parë. Neveria është jashtëzakonisht e madhe për këtë grup njerëzisht që kanë kapur shtetin. Mos kujtoni se njerëzit do tolerojnë që dikush të vendosë për fatet e tyre. Shqiptarët janë një popull i vogël, i varfër por e kanë pasur të vështirë për t’u nënshtruar. Janë bashkuar dhe kanë dalë për ekonominë e fëmijët e tyre. Janë 400 mijë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria. Janë larguar me qindra mijëra për shkak të pasigurisë, arsimit. Janë larguar mjekë dhe infermierë”, u shpreh kryetarja e LSI-së.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All