Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit me qytetarët e Cërrikut tha se sot të gjitha institucionet po vihen në funksion të një individi të vetëm. Kryemadhi theksoi se 30 vjet më parë të gjithë shqiptarët u ngritën dhe përmbysën diktaturën.

Ajo nënvizoi se aksioni politik I opozitës është shumë I qartë: pikërisht përmbysja e çdo grahme për të rikthyer diktaturën në Shqipëri. “Para 30 viteve ne kemi kërkuar një ndryshim të sistemit nga një vend diktaturë të ktheshim në një vend ku demokracia të ishte në shtyllën kryesore të themelimit të shtetit, por sot në jemi 30 vjet më pas, ne sot jemi që kemi një shtet të tërë, një polici të tërë, një administratë të tërë, e cila funksionon në shërbim të një njeriu të vetëm, i cili edhe kur del në takim me popullin vesh jelekun e antiplumbit, sepse ka frikë të takohet me popullin, ka frikë të bisedojë me popullin, ka frikë të bisedojë me ata që e votuan, por ka frikë të përballet edhe me ata të cilët ai i kërcënoi, i intimidoi, i grabiti dhe i bleu votën në 2017, prandaj edhe qëndrimi i opozitës është shumë i qartë dhe do ti shkojë deri në fund veprimit tonë, aksionit tonë politik për ta përmbysur një herë e përgjithmonë çdo gram diktature që kërkojnë ta ringjallin dhe ta ringrejnë në Shqipëri”, tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së tha se vendi përbalet me të njëjtat sfida si të 30 viteve me parë dhe se aspirata e opozitës është që të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë. “Janë sfida njëlloj si të 30 viteve më përpara, ku shqiptarët, të rinjtë dhe të rejat përmbysën komunizmin dhe kthyen dhe sollën një epokë të re, epokën e lirisë, epokën e demokracisë, epokën e vlerave, epokën barazisë, prandaj dhe ne sot më shumë se kurrë jemi të vendosur për të qenë përballë çdo grupi kriminal, për të qenë përballë çdo njeriu që kërkon të kapë pushtetin sepse ne jemi për një drejtësi, që është një drejtësi e barabartë për të gjithë shqiptarët, jo një drejtësi që ndryshe është për Kryeministrin kur kapet me presh në dorë duke vjedhur tek Unaza e Re, duke shkatërruar shtëpitë e qytetarëve për të ndërtuar gradaçelat e krimit të organizuar, jemi për një drejtësi të barabartë, që të jetë edhe për deputetët e Edi Ramës, por të jetë edhe për qytetarin e thjeshte sepse nëse qytetari i thjeshtë, i papunë dhe i varfër, futet në burg sepse nuk paguan dot energjinë elektrike 10 mijë lek të vjetra, kur oligarkët e Edi Ramës kanë me miliona detyrime të papaguara, jo vetëm në energji elektrike, por edhe në shumë sisteme të tjera të sistemit fiskal. Kjo nuk është drejtësi që ne aspirojmë, ne duam një drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët, si për fermerin, si për mësuesin, si për elektricistin, si për deputetin. Kjo drejtësi e barabartë do ta çojë Shqipërinë të sigurt drejt Bashkimit Europian”, tha Kryemadhi.

Flash Lajme

Më të lexuarat