Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi një protestë historike pas takimit me ministrin e Jashtëm çek, ku ishte i shoqëruar nga krerët e partive aleate.

“Në betejën për vlerat Europiane, zgjedhje të lira dhe një qeveri të çliruar nga oligarkia, ne kemi gjetur jo vetëm një bashkëbisedues të vëmendshëm, por edhe një mbështetës të fuqishëm të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së.

Përpjekja jo për të çliruar votën e lirë, për të bërë një pak kombëtar të majtë e të djathtë, për të çliruar votën, qeverinë nga kapja e krimit, ky pak kombëtar ka nisur rrugën e tij”, tha Basha.

I pyetur për deklaratat e ambasadës amerikane Basha tha: “Unë nuk i komentoj asnjëherë deklaratat e ambasadave. Unë nuk kam ndërmend që të bëhem palë me asnjë institucion dhe me asnjë person. Unë do të bëhem palë vetëm me vlerat e vendeve, vlerat që ata kanë për qytetarët e tyre. Protesta e nesërme do të jetë historike, do të hyjë në histori si më e madhja në vend”.

Në një deklaratë publike, ambasada e SHBA në Tiranë sot u shpreh: “Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017″.

Flash Lajme

Më të lexuarat