Gjykata e Krimeve të Rënda nuk i ka kthyer 17 mijë eurot e sekuestruara gjyqtarit Skënder Damini, i cili ishte njëri prej tre gjyqtarëve që uli dënimin e Dritan Dajtit nga burg përjetë në 25 vite.

Damini i kishte kërkuar gjykatës kthimin e parave dhe të celularit të sekuestruar me urdhër të Prokurorisë. Gjyqtari po hetohet me dyshimin për korrupsion pas vendimit për uljen e dënimit për Dritan Dajtin.

Ne 15 shkurt, në banesën e tij në Tiranë, u krye një operacion blic, gjatë të cilit u gjet dhe u sekuestruan 17 mijë euro kesh. Vetë gjyqtari u shpreh se ato ishin të djalit të tij, Lisien Damini, i cili gjithashtu i ka kërkuar gjykatës së Krimeve të Rënda kthimin e 17 mijë eurove të sekuestruara. Djali i gjyqtarit pretendon se këto para janë të justifikuara dhe me dokumentacion përkatës. Gjyqtarja Liliana Baku vendosi refuzimin për të dy kërkesat dhe lënie në fuqi të vendimit të mëparshëm.

Flash Lajme

Më të lexuarat