Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar (NCA) arrestoi një 37-vjeçare shqiptare, e cila dyshohet se pajiste grupet kriminale shqiptare me pasaporta britanike. Mësohet se gruaja, identiteti i së cilës nuk bëhet ende i ditur, ka ndihmuar mafian shqiptare me 500 pasaporta.

Arrestimi i gruas u bë në kuadër të një operacioni që synonte identifikimin dhe kapjen e grupeve kriminale që mundëson pasaporta britanike, si dhe pastrimin e parave për mafian shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.

Andrea Wilson, Shefi Rajonal i Hetimeve të NCA tha se përmes këtyre pasaportave, mafia ka një rrugë të hapur për të udhëtuar të lirë dhe për të kryer krime si pastrim parash, trafikim droge e prostitucioni, rrëmbime e dhunë. Gruaja, e cila u arrestua në Londër pas disa orësh u la e lirë, ndërsa vijon të jetë nën hetim.

Mbizotërimi i grupeve të krimit të organizuar është cilësuar si një ndër problemet që frenojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Në qershor 2018, ministrat e BE-së shtynë vendimin e pranimit për Shqipërinë deri në qershorin e ardhshëm, duke cituar korrupsionin e shfrenuar dhe një sistem gjyqësor joefektiv.

Flash Lajme

Më të lexuarat