Gjykata vendos burg për 3 nga 6 të arrestuarit. Opozita dënon burgosjen e pjesëmarrësve në mitingun para parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë më 21 mars. Nisin përgatitjet për protestën e radhës, që do të mbahet më 13 prill  

Erjon Dervishi

Gjykata e Tiranës ka dhënë dje masën e sigurisë për 6 të ndaluarit e protestës së opozitës më 21 mars, që u zhvillua para parlamentit. Nën masën “arrest me burg” janë lënë protestuesit Mariglen Doçi, Dorian Protoduari dhe Emiljano Mustafa. Ndërsa janë lënë të lirë me masën “arrest shtëpie” Bledar Dollia, Jorges Gjikola dhe Arbër Kola. Prokuroria e Tiranës kërkoi për të gjithë ata masën “arrest me burg”. Sipas akuzës, kërkesa është e bazuar nga pamjet filmike dhe raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Ata akuzohen për “Kundërshtimi të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërkohë për protestën e 21 Marsit janë proceduar në gjendje të lirë dhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. I proceduar penalisht është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, si organizator i protestës. Bardhi ka njoftuar policinë për të zhvilluar protestën para parlamentit dhe jo para institucioneve të tjera kushtetuese. Kujtojmë që protesta e 21 Marsit u zhvendos nga parlamenti për tek Drejtoria e Policisë së Tiranës për shkak të shoqërimeve të ndryshme që bëri policia gjatë zhvillimit të protestës

Reagimet

Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho thotë se mazhoranca ka për qëllim të trembë protestuesit. “Në këtë vend qeveria është e lidhur me krimin. Masa e arrestit me burg për protestuesit nuk është e drejtë”,- ka thënë ai. Në të njëjtën linjë u deklarua edhe ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari: “Është e qartë se është një ndalim, por dhe gjykim politik. Tanimë kjo është e dukshme jo vetëm për masat e marra sot, por për të gjithë protestuesit. Jetojmë në një vend ku kemi bëjmë me një qeveri, e cila është e kapur totalisht nga krimi i organizuar. Është e kapur totalisht duke vjedhur hapur tek Unaza e Re dhe ndalohen dhe arrestohen protestues, të cilët protestojnë për shtëpitë e tyre, pronën e tyre, dhe sot janë të lirë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Afrim Qendro që kërkonin t’i prishnin shtëpinë Dorjanit dhe banorëve të tjerë të Unazës së Re për të gllabëruar 40 milion euro”. Edhe kreu i FRPD shprehu zemërim për arrestimin e protestuesve. “Mariglen Doci është një nga djemtë më fisnikë të FRPD-së. Edi Rama vijon dënimet politike ndaj FRPD, por nuk do ja dale dot të na ndalojë. Do t’i qepemi këmba këmbës Edi Ramës deri në largimin tij nga Shqipëria në azil politik. Nuk ka përse të ikin 110.000 të rinj nga Shqipëria ne 5 vite, por duhet të ikë vetëm një person për t’i hapur rrugën integrimit evropian të Shqipërisë dhe të rikthehet shpresa tek të rinjtë dhe ai që duhet të ikë është Edi Rama.”- u shpreh kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi. Ndërkohë ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi dënon vendimin për të rinjtë ndërsa shprehet se kriminelët e vërtetë janë në Qeveri. “Gjyq politik ndaj te rinjve që kanë protestuar për të drejtat e tyre! Ndërkohë kriminelët mbrohen nga shteti! Papunësisë në rritje, korrupsionit në çdo nivel, varfërisë e mungesës së shpresës, tani i shtohet dhe shtypja sistematike e të drejtave të njeriut! Të rinjtë kanë protestuar për arsim cilësor, punësim të mirëpaguar, siguri sociale e për shanse të barabarta! Kanë ushtruar të drejtën e tyre Kushtetuese! Shteti ka rënë edhe drejtësia është e kapur duke i shërbyer kriminelëve që janë në funksion të këtyre pushtetarëve të ardhur me vota të blera! Edhe këtë javë u publikua një tjetër audio-përgjim i Prokurorisë, ku tregon se si zyrtarë të Rilindjes i japin direktivë Policisë së Shtetit të blejë dëshminë e rreme të një individi për të shpëtuar karrigen e tyre nga procesi gjyqësor qe po zhvillohet!”- shkruan ajo në ‘Facebook”.

Çfarë njoftoi policia më 21 mars?

Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 6 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ditën e sotme para parlamentit. Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim. Është proceduar penalisht gjithashtu shtetasi G.B., organizator i protestës. Janë arrestuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike” shtetasit: J.Gj., 24 vjeç, nga Shijaku; M.D., 24 vjeç, nga Mamurrasi; A.K., 20 vjeç, nga Rrësheni; B.D., 36 vjeç, nga Kavaja; E.M., 26 vjeç, nga Kavaja; D.P., 31 vjeç, nga Tirana. Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Protesta e radhës

Opozita sërish në protestë në 13 prill. Pas mbledhjes së Këshillit të Kryetarëve, Partia Demokratike ka vendosur që të thërrasë shqiptarët sërish në një protestë të madhe kundër qeverisë dhe kjo është caktuar të mbahet me 13 prill, ndërsa si kohë është përcaktuar jo paraditja si në protestat e tjera, por pasdite duke nisur nga ora 18:00. Selia blu dhe aleatët e tjerë opozitarë do të vijojnë rezistencën paralelisht edhe me protesta të tjera në ditët kur Kuvendi do të mbajë seancë plenare. Kolegji i Kryetarëve u mblodh nga kryedemokrati Lulzim Basha dje në orën 19:00, ndërsa pas diskutimeve u vendos që në muajin prill, qytetarët shqiptarë dhe mbështetësit e opozitës të ftohen sërish në shesh për të kërkuar  zgjedhje të parakohshme dhe krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.

PD: prokuroria nuk zbardh përgjimet për Taulant Ballën

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata akuzoi prokurorinë se është vënë në dispozicion të qeverisë dhe nuk po zbardh provat për çështjen “Babale”. Në një deklaratë për mediat, Gjata tha se ekzistojnë të tjera përgjime ku “dëshmitari i rremë”, Fredi Alizoti flet me eksponentë të lartë të PS-së. Ai hodhi akuza në lidhje me këtë çështje janë përdorur politikisht katër prokurorë si dhe një sërë strukturash të policisë me qëllim që, sipas tij, të manipulonin ngjarjen. “Përgjimet faktojnë përdorimin si seksion i Rilindjes të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranë, 4 prokurorë u përdorën politikisht për të shpëtuar nga përgjimet Geron Xhafën. Duhet të marreshin të pandehur Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Ardi Velia dhe Albert Nushi dhe një sërë strukturash policore që kanë shërbyer për të manipuluar këtë ngjarje që të shpëtonte pushteti i Ramës. Përgjimet e Prokurorisë faktojnë se pushteti e sajoi dëshmitarin e remë duke e paguar atë.” Sipas Gjatës, prokuroria nuk ka zbardhur përgjimin ku dëshmitari Fredi Alizoti komunikon me Taulant Ballën. “Prokuroria nuk ka zbardhur disa përgjime me qëllim kur flet për Ballën dhe Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që tregon se pushtetin real e kanë kriminelët. Kemi shumë biseda që nuk po zbardhen nga Prokuroria me numrin e Taulant Ballës dhe Alizotit. Këta dy numra kanë biseduar me njëri-tjetrin. Krimet e Rënda janë vënë në shërbim të sekteve kriminale”.

Basha sqaron mediat italiane pse u rreshtua me LSI-në 

Lulzim Basha është gjetur ngushtë kur nga gazetari italian i gazetës “Il fatto quotidiano”, i është kërkuar arsyea e aleancës me LSI-në e Monika Kryemadhit. Në një intervistë që kreu i PD e ka bërë për median italiane “Il fatto quotidiano”, është shprehur për LSI-në, si një “formacion politik”. Pyetjes së gazetarëve italiane se “të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet fiks me Edi Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj”? Basha i është përgjigjur: “Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar. Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pista”.

Flash Lajme

Më të lexuarat