Admir Muarataj është një emër i njohur për Policinë e Shtetit në botën e krimit, kryesisht të grabitjeve të bankave. Emri i Admirit është mjaft i njohur edhe për autoritetet greke, i cili ka kryer disa grabitje në vendin fqinj dhe ka bërë një arratisje spektakolare nga burgu i Trikalasë në vitin 2013.

 Viktima është njohur nga bashkëshortja dhe familjarët e tij, të cilët mëngjesin e sotëm ishin pranë morgut të Tiranës, ku po bëhet ekspertiza. Admir Murataj me banim në Prezë është nga Tropoja dhe prej disa vitesh ishte në kërkim për disa nga grabitjet më të bujshme të parave në Shqipëri. Por, Murataj, i cili gjatë jetës së tij ka përdorur edhe identitete të rreme, kërkohej edhe nga drejtësia greke, si i arratisur nga burgu i Trikallës 6 vjet më parë, ku ishte dënuar për vjedhje bankash me armë. Pas arratisjes, u kthye në Shqipëri ku nisi një seri grabitjesh që kishin si objektiv bankat dhe transportimin e parave të tyre.

Kush është Admir Murataj?

Admir Murataj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë e vendit tonë, por edhe atyre greke. Ai njihet si një grabitës profesionist i bankave, ndërsa është identifikuar si organizator i dy grabitjeve në vitin 2015 dhe një në vitin 2017 në Rinas. Edhe pse disa nga shokët e grupit të tij kanë marrë dënimet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Murataj nuk arriti të binte në prangat e policisë. Po ashtu, ai dyshohet të jetë organizatori i grabitjes së ndodhur dje po në aeroportin e Rinasit, por kjo ende e paidentifikuar. CNN në Greqi shkruan se Admir Murataj së bashku me 10 persona të tjerë shqiptarë u arratis nga burgu i Trikalasë në vitin 2013. Pas arratisjes së tij, më 16 maj 2013, ai kishte kryer së bashku me një bashkëatdhetar një grabitje në një bankë në Larisa. Pak kohë më vonë, Murataj mori pjesë në një tjetër grabitje, në një supermarket në Peristeri.

Grabitja më 9 prill 2019 (dje)

Në një kohë kur siguria në aeroportin e Rinasit duhet të ishte në maksimumin e saj, grabitësit goditën me veprimet e tyre duke u futur deri tek avionët për të marrë thasët mepara. Të maskuar dhe armatosur rëndë, ata realizuan grabitjen spektakolare që është parë edhe nga qindra pasagjerë që ndodheshin në avion. Ashtu si edhe para tre vitesh disa persona kanë arritur sërish të thyejnë rrethimin pa u diktuar nga forcat e sigurisë. Sipas informacioneve të policisë, grupi ka qenë i mirëinformuar mbi shumën që do të transportohej dhe orari. Menjëherë sapo paratë kanë zbritur nga automjeti i blinduar dhe janë vendosur në avionin që do të nisej drejt Vjenës, një furgon ka çarë rrethimin e aeroportit dhe agresorët kanë hyrë menjëherë në zonën ku u vendosën paratë. Brenda pak minutash u realizua grabitja dhe autorët kanë dalë sërish nga e njëjta derë ku dhe hynë. Dëshmitarët kanë treguar se gjithçka ka ndodhur shpejt dhe pa shkaktuar panik. Ndërkohë, theksojmë se policia është lajmëruar në një kohë rekord, por pavarësisht kësaj ata nuk mundën të ndalonin grabitësit bashkë me paratë. Këta të fundit, edhe pse iu vra njëri nga pjesëtarët, nuk u ndalën. Të qëlluar me plumb në kokë nga policia, grabitësit e hedhin shokun në anë të rrugës dhe vetë nuk ndalen duke vazhduar planin e nisur.

Grabitja në Rinas, 30 Qershor 2016

Një grabitje e ngjashme me atë të djeshme, është edhe ajo e tre viteve më parë, ku organizator të grupit policia ka identifikuar Admir Murataj. Për supergrabitjen e ndodhur në vitin 2016, grabitësit u futën nga porta e emergjencave të zjarrfikëses me një “Benz”, dhe për pak sekonda arritën të merrnin nga blindi miliona para. Gjithçka ishte e mirëorganizuar, ashtu sikundër edhe grabitja e djeshme ku sasia e parave të marra është akoma më e madhe.

Flash Lajme

Më të lexuarat