Studiuesi Enver Bytyçi në një koment të shkruar posaçërisht për gazetën “Shekulli” flet gjerësisht për Paktin Kombëtar të Partisë “Zgjidhja”, me drejtues Koço Kokëdhima. Sipas Bytyçit, Pakti Kombëtar është domosdoshmëri për t’i dhënë zgjidhje krizës politike në vend.

Komenti i plotë:

Enver Bytyçi

Pakti Kombëtar i propozuar nga zoti Koço Kokëdhima, sipas meje është domosdoshmëri për momentin në të cilin kalon vendi ynë, për zgjidhjen e krizës dhe për t’i dhënë garanci të ardhmes. Demokracia përfaqësuese nuk mund të lihet në duart e kryetarëve të partive politike. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë krijuar një precedent të tillë ato ia japin liderëve politikë pushtetin real, duke devijuar nga parimi e ndërtimit dhe funksionit të një republike parlamentare, ku parlamenti përcakton linjat e zhvillimit kombëtar. Për këto arsye vlerësoj se ky pakt i propozuar nga Zgjidhja i krijon kushtet për rikthim në demokracinë parlamentare të njëmendshme. Mungesa e kësaj demokracie, mosfunksionimi i parlamentit për shkak të keq përfaqësimit, kanë çuar në kthimin e Shqipërisë nga një republikë parlamentare demokratike në një republike autokratike e kleptokratike, në të cilën ligjin nuk e bën parlamenti, por e bën kryetari i mazhorancës së radhës. Kur kryetari i mazhorancës shfaq deficite konceptuale në sjelljen e vet demokratike, atëherë problem bëhet shumë serioz, siç ka ndodhur vitet e fundit tek ne. Por u desh të shohim një kleptokrat të pashembullt e të papërmbajtur, si Rama, që të kërkohet e ngulm ndryshimi i sistemit.

Prandaj më vjen mirë që Zgjidhja dhe zoti Kokëdhima vijnë në elaborimin e konceptit modern të shtetit në modelin e republikës parlamentare. Duhet thënë se edhe zoti Basha i ka shpalos këto ide. Kjo do të thotë se ky pakt është bërë imperativ. Është emergjencë për demokracinë dhe krijimin e një stabiliteti politik e social në vendin tonë. Duhen ekuilibra të reja duhet krijuar balanca e re, e drejtë, e akceptueshme midis pushteteve, përfshirë dhe raportin e pushtetit partiak me pushtetin shtetëror. Ndryshe krizat do të përsëriten në një cikël të pafund. Për arritjen e këtij pakti duhet kohë. Duhet medoemos dakordësia e mazhorancës, sepse nuk mund të realizohet asnjë ndryshim pa ndryshime kushtetuese. A mund të bëhet kjo para zgjedhjeve të reja parlamentare? Unë besoj në vullnetin e partive për të miratuar një kod të ri zgjedhor, pasi të jetë arritur marrëveshja për shtyrjen e zgjedhjeve, ashtu siç kërkohet në këtë pakt. Ndërsa ndryshimet kushtetuese besoj se duhen bërë pasi të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare, por konsensusi për ato ndryshime duhet dhënë para zgjedhjeve. Kushtetuta duhet ndryshuar por është jo e këshillueshme që këto ndryshime të bëhen pa një ekspertizë dhe konsulencë të gjerë.

Ndryshe do të bëhej i njëjti gabim siç ndodhi në vitin 2008. Besoj se duhet filluar nga përcaktimi i modelit zgjedhor. Mundet që parlamenti (in) ekzistues thjesht të ndryshojë numrin e zonave. Kodi zgjedhor përcakton pastaj edhe mënyrën e përfaqësimit, mazhoritar, mix apo proporcional. Por modeli proporcional ka nevojë nëse qëndron për korrektim. Deputetët fitues nuk duhet të përcaktohen nga numri rendor në listën e kandidatëve, por nga numri i votave që ata marrin individualisht. Kështu votohet për partinë, sepse partia merr aq deputetë sa vota ka, por deputetët përcaktohen nga numri i votave. Ata që marrin pak vota nuk mund të jenë deputetë. Të tjerët po. Kjo do ta korrektonte listën, do ta rriste nivelin e të kandiduarve dhe përfaqësuesve të zgjedhur dhe do të rriste gjithashtu integritetin dhe legjitimitetin e deputetëve të zgjedhur. Në fund të fundit deputeti që ka marrë një numër të madh votash, ka legjitimitet të burrat me votat që ka marrë dhe jo me afërsinë e miqësinë që ka me kryetarin e partisë. Unë besoj se opozita e mbështet këtë pakt. Në fund të fundit ajo në thelb i ka artikuluar shumë nga kërkesat e paktit të Zgjidhjes. Për pasojë mund të krijohet një front unik dhe një bllok politik për ndryshime thelbësore e jo për arnime, sa i përket ndërtimit dhe funksionimit të shtetit në vendin tonë. Sa më mirë dhe sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më e garantuar do të jetë paqja sociale, aq më e moderuar do të bëhet politika, aq ë të pakta do të jenë konfliktet politike.

 

Flash Lajme

Më të lexuarat