Më 17 prill 2019 do të nisë fushata e anti informalitetit e përqendruar në sektorin e shërbimeve, kryesisht bare dhe restorante, duke i paraprirë kështu dhe afrimit të sezonit veror.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro, zhvilloi një takim informal me gazetarët e ekonomisë, ku shpalosi vizionin e tij në krye të këtij institucioni, i  cili do të fillojë me fushatën anti informalitet, që është konceptuar e qëndrueshme në kohë dhe më shumë në formë ndërveprimi me bizneset, duke shmangur agresivitetit e aksioneve të kaluara.

Përmes zbatimit të këtij plani, synohet rritja e përmbushjes vullnetare e tatimpaguesve, si dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e mbledhjes së detyrimeve tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Një tjetër objektiv është respektimi i afateve për rimbursimin e TVSH-së për subjektet, ku do të ndërtohet një axhendë transparente dhe e konsoliduar për adresuar problematikat në këtë drejtim, duke u fokusuar tek subjektet që janë prekur më së shumti nga luhatjet e kursit të këmbimit.

Objektivi është që të shlyhen 1.7 mld lekë në muaj dhe të mos cenohet plani i  rimbursimit. Rreth 851 milionë lekë janë detyrimet që administratat tatimore ka për ti paguar eksportuesve për rimbursimin e TVSH-së, ndërsa fondi total për vitin 2019 është rreth 19 miliardë lekë.

/SCAN

Flash Lajme

Më të lexuarat