Tre të arrestuarit për grabitjen në Rinas janë lënë në masë sigurie “Arrest me burg”, ndërsa akuzohen se janë përfshirë në grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit.

Seanca u mbajt në Gjykatën e Krimeve të Rënda, aty ku një ditë më parë u shqyrtua masa edhe për Alkond Bengasin.

Për Oltjon Veselin, Saimir Çelën dhe Reinaldo Sulan u dha masa e sigurisë arrest me burg.

I penduari i drejtësisë

Prokuroria tashmë ka siguruar dëshminë e njërit prej të arrestuarve, lidhur me grabitjen e ndodhur më 9 prill në Aeroportin e Rinasit. Alkond Bengasi, pas arrestimit ka pranuar të rrëfejë gjithçka di për grabitjen. Gjatë dëshmisë, ai pranoi që ishte personi që modifikoi furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Ai është shprehur se kanë qenë kushërinjtë e tij Klement dhe Eldi Çala ata që ia kanë kërkuar një gjë të tillë. Pranon se është takuar me Admir Muratajn dhe dy persona të tjerë nga Kosova, të cilët iu kanë dorëzuar pas një dreke edhe furgonët që do të modifikonte.

“Kontaktin e parë e kam pasur me kushërinjtë e mi Klement dhe Eldi Çala. Duke qenë se unë punoja në një servis ata më kërkuan t’i shoqëroja në Kavajë ku do të merrnim një furgon. Fillimisht nuk pranova sepse kam pasur fëmijën sëmurë dhe nuk doja të largohesha nga Elbasani. Por më pas pranova dhe shkuam të 3 tek Shkëmbi i Kavajës. Aty na prisnin 3 persona për drekë. Një u prezantua si Admir Murataj i cili ishte në shoqërinë e 2 personave nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin “daja” ndërsa tjetrin “Tani”. Pasi hëngrën drekë, morëm furgonat “Shevrioletë”, të cilët unë më pas i modifikova. Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje”, ka thënë ai.

Policia arriti të identifikonte Alkondin, pasi në furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” janë gjetur në pjesën e brendshme, shenjat e gishtave të tij.

Ngjarja ndodhi rreth dy javë më parë në aeroportin “Nënë Tereza”, e me sa duket me kalimin e ditëve, policia po ngushton edhe rrethin e personave që kanë marrë pjesë në grabitje pasi brenda dy ditësh janë arrestuar 5 persona.

Dje u arrestua Elton Pikli, 32 vjeç nga Kruja, teksa tentonte të largohej drejt Bullgarisë, ndërsa përveç tij kanë përfunduar në pranga edhe Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, E. Pikuli dhe Saimir Cela. Kujtojmë se gjatë grabitjes mbeti i vrarë Admir Murataj.

Flash Lajme

Më të lexuarat