Xhentila Gjoshi

Vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, u ekzekutuan mëngjesin e 30 marsit në portën e banesës së tyre nga shtetasit e dyshuar Arsen Stojku, 29 vjeç dhe Myslym Rama, 23 vjeç.

Sipas dëshmive të marra ditën e ngjarjes, mësohet se vëllezërit sapo po dilnin nga shtëpia, për të shkuar tek motra e tyre, banesa e të cilës ndodhej pak metra larg nga vendi i ngjarjes. Ata janë zënë në befasi nga autorët, të cilët lëviznin me mjetin tip “Benz”, që u gjet i djegur në “Livadhe” pak pas ngjarjes.  Sipas informacioneve, mësohet se viktimat janë qëlluar me më shumë se 10 plumba, ç’ka u ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Por kush janë autorët?

Mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e autorëve të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bilali. Ata janë Arsen Stojku, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe Myslym Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Sipas policisë, dy shtetasit e mësipërm janë ekzekutorët e vëllezërve, ndërsa në kërkim janë përkrahësit e tyre. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë të maskuar. Njëri prej tyre, i pajisur me armë, pasi ka parë që dy vëllezërit që po dilnin nga banesa, ka zbritur nga makina dhe ka zbrazur karikatorin e armës mbi ta. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi në zonën e Livadhes, aty ku edhe dogjën makinën për të humbur gjurmët.

(Në foto: Makina e djegur e autorëve ditën e ngjarjes)

Motivi i ngjarjes

Nga hetimet, burime nga blutë e Shkodrës theksojnë se vrasja mund të ketë ndodhur edhe për shkak të përfshirjes së Asmer Bilalit, djali i Astritit, në grupin kriminal “Bajri”. Boksieri i njohur Asmer Bilali, është arrestuar në Tiranë vetëm pak kohë më parë, si pjesë e grupit kriminal “Bajri”. Po ashtu, Asmer Bilali u bë i njohur si i përfshirë në grupet kriminale në Shkodër në 10 Gusht të vitit 2018, kur mbeti i vrarë Arjan Ferracaku teksa kalëronte. Resorti i kuajve ku u bë atentati i bujshëm është në pronësi të babait të Asmerit, Astritit, i cili mbeti i vrarë në një atentat sot.

Policia

Zbardhet vrasja e dyfishtë, e ndodhur më 30 mars 2019, ku mbetën të vrarë dy vëllezër. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se në pranga janë vënë dy autorët e dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë. Arrestimi i tyre dhe zbardhja e ngjarjes është bërë falë operacionit të koduar “Livadhe”, nga DVP Shkodër, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në 30 mars 2019 ku mbetën të vrarë dy vëllezër, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u ngrit një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me DVP Shkodër dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë  së Forcës së Posaçme  Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me  ekzekutimi i urdhrave të  ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve:

– A. S., 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

– M. R., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

U bë shpallja në kërkim e shtetasit I. L., 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe  e shtetasit D. B.,  29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.

Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.

Si rezultat  i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tre aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre.

Vazhdon puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Flash Lajme

Më të lexuarat