Kriza e thellë politike reflektohet në mesazhet e përcjella për 5 Majin nga Edi Rama dhe Lulzim Basha. Vizita të ndara në orare të ndryshme për vendosjen e kurorave me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”

Erjon Dervishi

Edhe këtë vit politika shqiptare ka kujtuar e ndarë dëshmorët e atdheut dhe kjo nuk përbën më lajm. Në këtë 5 maj në nderim të dëshmorëve, maxhoranca dhe opozita zgjodhën të bënin homazhe me një diferencë prej 60 minutash në varrezat e  dëshmorëve. Presidenti Meta u pa në krah të kryeministrit Rama dhe anëtarë të tjerë të shumicës në pushtet. Presidenti e ka shfrytëzuar këtë ceremoni që të jepte një mesazh dialogu mes palëve vetëm pak ditë pasi ai takoi përfaqësuesit e 5 partive opozitare të vogla në lidhje me krizën e krijuar. Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe krye bashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vendosën buqetat e tyre rreth orës 10:00, ndërsa kreu i PD-së bëri të njëjtën gjë një orë më vonë. Mesazhi i dhënë nga të gjithë në thelb kishte një përmbajtje: atë që sakrifica e dëshmorëve të mos shkojë dëm dhe të shpërblehet me aspiratën e popullit shqiptar për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Por, palët kanë ndasi të thella për rrugën që realizon këtë aspiratë të popullit shqiptar. Presidenti Ilir Meta, qëndroi mbi palët dhe në këtë ditë mesazhi i tij ishte thirrja për dialog. “Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht”, tha Meta. Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër pretendon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se aspiratën e integrimit po e minojnë forca të brendshme me agjendë politikën e tyre të ditës.

Kryemadhi: Nderimi i dëshmorëve, nderim për historinë

Në ditën përkujtimore të dëshmorëve të atdheut një mesazh për qytetarët e ka dhënë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në një postim në Facebook, Kryemadhi shkruan se nderimi ndaj dëshmorëve është nderim për historinë e popullit, që na frymëzon që na frymëzon të mbajmë të shenjtë amanetin e tyre për Shqipërinë e lirë. Postimi i Kryemadhit: Në 5 maj i gjithë Atdheu mban frymën në respekt të pafund për të rënët për atdheun, martirët e kombit që sakrifikuan jetën e tyre e në emër të Shqipërisë. Lufta për çlirimin e atdheut gjaku i derdhur, jetët e flijuara dhe sakrificat sublime për lirinë e tij, janë gdhendur si dëshmia monumentale e një populli që ka luftuar në mënyrë të paepur me pushtuesit gjatë gjithë historisë së tij. Nderimi ndaj dëshmorëve, është nderim për historinë e popullit, por është edhe një referencë krenarie, që na frymëzon për ta mbajtur të shenjtë amanetin e tyre, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët! Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut! Shqipëria Shtëpia Juaj.

Incidenti në Lezhë

Në ditën përkujtimore të dëshmorëve të atdheut homazhe janë mbajtur edhe në varrezat e dëshmorëve në qytetin e Lezhës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm prefekti Gjergj Prendi, nënkryetari i bashkisë Lezhë Enver Hafizi, veteranë e familjarë të dëshmorëve. Por ndryshe nga ceremonitë përkujtimore të zhvilluara në qytete të tjera, në Lezhë janë vënë re disa detaje të çuditshme. Flamuri kombëtar qëndronte me kokë poshtë, si duket nga pakujdesia e organizatorëve të kësaj ceremonie, që bëhet çdo 5 maj. Por krahas këtij detaji, është vërë re se edhe kurorat me lule janë vendosur me ngjyrat e partive politike.

Lleshaj: Të bashkojmë forcën kundër krimit

Në ditën e përkujtimit të dëshmorëve, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka dhënë një mesazh për gjithë shoqërinë dhe klasën politike që të jenë në krah të policisë së shtetit. Lleshaj paralajmëroi se ndryshimet në kodin penal kanë parashikuar edhe ashpërsim të dënimeve për të gjithë ata që cenojnë efektivët e policisë në krye të detyrës. 224 punonjës policie kanë rënë në krye të detyrës që nga viti 1990. Në ditën e përkujtimit të dëshmorëve, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha një mesash për të gjithë klasën politike që të bashkojnë forcën kundër krimit dhe të mbështesin Policinë e Shtetit. Lleshaj: Ky numër shumë i lartë punonjësish policie të rënë në harkun e pothuajse tri dekadave është dëshmi e dy realiteteve: Nga njëra anë, ky numër tregon një zhvillim politiko-shoqëror jo normal, i cili ka prodhuar një situatë kriminale të pazakontë edhe në kontekstin historik të vendit tonë. Nga ana tjetër, numri i lartë i dëshmorëve nga radhët e Policisë së Shtetit tregon se përballja me krimin ka qenë e ashpër, e vështirë por edhe heroike. Shumë nga ata dhanë jetën, në momente të vështira për familjet e tyre. Ministri i Brendshëm paralajmëroi se ndryshimet  e pritshme në kodin  penal kanë ashpërsuar masat ndaj të gjithë atyre që synojnë të cenojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në detyrë. “Qeveria shqiptare do të vazhdojë thellimin e masave për mbrojtjen ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndryshimet e pritshme në kodin penal do të ashpërsojnë më tej dënimet ndaj atyre që tentojnë të cenojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në krye të detyrës”, tha Lleshaj. Ai theksoi se krahas dëshmorëve që dhanë jetën për liri, sot nderohen edhe dëshmorët që kanë rënë nga radhët e Policisë së Shtetit në krye të detyrës në luftën kundër krimit, në mbrojtje të sigurisë publike.

Zgjidhja

5 maji, një ditë reflektimi për lirinë

5 maji është një ditë e shënuar për popullin shqiptar. Dita e dëshmorëve është një moment për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën e të rënëve për lirinë e atdheut. Për fat të keq, 75 vite pas çlirimit të vendit, Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë të lirë. PS dhe PD, në sy të popullit bëjnë sherr për ditën e çlirimit dhe për gjakun e dëshmorëve, por nga ana tjetër ato janë bashkë kundër shtetit të së drejtës, kundër sovranitetit të popullit, kundër paqes, zgjedhjeve të lira e të barabarta, kundër demokracisë, drejtësisë dhe prosperitetit të shqiptarëve. Më keq se çdo pushtues i vendit, ato kanë shkatërruar liritë politike, njerëzore dhe ekonomike në vend. Ndaj beteja e radhës e shqiptarëve është shporrja e tyre, siç hoqën qafe pushtuesit 75 vite më parë.

Basha dhe Berisha: Të nderojmë të rënët!

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë zhvilluar dje homazhe pranë Monumentit Nënë Shqipëri. Gjithashtu, ata kanë bërë homazhe edhe pranë vendit ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari si dhe në vendin ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar nga regjimi komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike. Në fjalën e tij para mediave, kreu i PD-së Basha tha se për lirinë dhe vlera te saj luftohet në çdo kohë, ndërsa ka përkujtuar edhe shqiptarët e vrarë në trojet e Shqipërisë etnike në luftërat e tyre për liri. “Sot është dita kur kombi shqiptar nderon të rënët, të rënët për lirinë kombëtare, të rënët në luftë kundër pushtuesve, të rënët për liri dhe demokraci. Është një ditë nderimi, respekti, mirënjohjeje e thellë kombëtare, patriotike dhe individuale, ndaj qindra, mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që flijuan jetët e tyre në altarin e lirisë kombëtare. Është po kështu një ditë reflektimi, për t’u bashkuar të gjithë sërish për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë. Përkulem sot me respekt dhe mirënjohje të thellë para dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare, duke nisur me dëshmorin e parë, Mujo Ulqinakun, e dhjetëra mijëra të tjerë, të cilët luftuan me flamurin kuqezi për lirinë e Shqipërisë, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Nuk është hera e parë që partitë politike shqiptare mbajnë qëndrime të kundërta në lidhje me festën e datës së çlirimit. Në këtë proces është përfshirë edhe debati i fundit i Institutit të Krimeve të Komunizmit, në të cilën artikulohen qartë ndasitë që vazhdojnë të kenë partitë politike shqiptare.

Meta, mesazh politikës: Të zgjatim dorën e bashkëpunimit

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e bekuar të Ramazanit, gjithashtu i uron agjerim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar. Ndërsa ka theksuar se shpesh ekuilibrat në familjet shqiptare goditet, Meta këshillon që ky muaj të shërbejë si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të përpiqemi dhe pavarësisht sakrificave që kërkohen, të afrojmë më shumë zemrat tona, të zgjatim dorën e bashkëpunimit dhe të unifikojmë shqetësimet e të gjejmë zgjidhjen e tyre.

Urimi i plotë: 

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë, Nga zemra u uroj ju dhe mbarë popullit, Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës e të reflektimit, por edhe të dhënies së provave të pafundme të forcës së besimit në Zot! Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, mbarësi dhe begati në familjet tuaja dhe Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri! Ky Muaj i madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet, janë mesazhet që përcjellim këtë Muaj. Koha kur jetojmë, reflekton probleme të shumta, brenda familjeve shqiptare, por edhe në mbarë shoqërinë tonë. Mungesa e dashurisë, solidaritetit e humanizmit, padrejtësitë, korrupsioni, arroganca dhe egoja e pafre, inati e smira, interesi personal, por dhe lakmia, shpeshherë godasin rëndë ekuilibrat shoqërorë dhe vlerat më të mira fetare, njerëzore e kombëtare, me të cilat ne krenohemi. Rinia sot është e prekur nga krimi, droga, bixhozi e fajdet, largimi nga arsimi e edukimi cilësor, papunësia dhe fenomene të tjera negative. Në këtë Muaj të shenjtë, të reflektojmë për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të rinisë sonë dhe për forcimin e shtyllës më të fortë të shoqërisë, familjes. Kemi nevojë, dhe agjerimi e jep këtë mundësi, të pendohemi për gabimet tona e t’i kërkojmë falje Zotit për gjithçka, duke u përmirësuar në funksion të përqafimit të vlerave më të mira hyjnore e humane që na mundësojnë një të ardhme më të begatë, në familjen europiane. Le të shërbejë ky Muaj, si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të përpiqemi dhe pavarësisht sakrificave që kërkohen, të afrojmë më shumë zemrat tona, të zgjatim dorën e bashkëpunimit dhe të unifikojmë shqetësimet e të gjejmë zgjidhjen e tyre. Vendi ka nevojë për shpresë dhe të bashkuar ne duhet dhe mund t’ja dalim! GËZUAR MUAJIN E SHENJTË TË RAMAZANIT!

Flash Lajme

Më të lexuarat