Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu kundërpërgjigj përmes një konference për media kryeministrit Edi Rama.

Kryeopozitari e quajti marshimin e djeshëm epik, që s’ka të krahasuar me asnjë ngjarje tjetër, ndërsa u shpreh se s’do të bëhet asnjë hap pas.

“Ky ishte një mesazh kombëtar i qartë dhe i prerë për këto dhe në veçanti për pengmarrësin e Shqipërisë, demokracisë dhe drejtësisë, që ka bllokuar derën e BE, se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap pas, bashkimi ynë ka marrë përmasa që i tejkalojnë kufijtë politik të mbështetësve. Përshëndes të gjithë ata socialist që iu  bashkuan dje kësaj protestë, duke dhënë mesazh se kjo që kemi nisur është një beteje për të transformuar vendin dhe nuk është betejë për pushtet. Kjo pjesëmarrje dëshmoi besimin e madh që qytetarët kanë tek kauza e vendosmërisë sonë të hekurt për të mos bashkëpunuar me krimin. Zemra e protestës vazhdon të jetë kryeqyteti, mirënjohje qytetarëve të Tiranës, por edhe më të madhe e atyre që erdhën nga çdo skaj i vendit. Do ta ndryshojmë fatin e vendit, nuk do ta lëmë në duart e një njeriu që ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve”, tha Basha në fjalën e tij.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën për media mbajtur më herët se zgjedhjet lokale nuk do të shtyhen.

“E kam refuzuar shtyrjen e zgjedhjeve. Nuk shtyhen asnjë ditë sepse Presidenti mes datës 23 dhe 30 ka zgjedhur 30. Pra zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen në 30 qershor dhe në këtë pikë nuk kam asnjë mundësi për të fantazuar, që është Kushtetuta e Shqipërisë”, tha Rama.

Ai shtoi se nuk ka nevojë për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe është i gatshëm për të folur ballë për ballë me kreun e selisë blu.

Flash Lajme

Më të lexuarat