Në Shqipëri protesta e thirrur të shtunën në mbrëmje nga opozita po zhvillohet paqësisht. Ndërsa manifestimet e mëparshme janë mbizotëruar nga lëndët plasëse dhe tymueset që fluturonin drejt selisë së Qeverisë, sot ajo u karakterizua nga elementë më së shumti koreografikë.

Fillimisht me protestuesë që mbanin në duar, tepsi me mbishkrimin “Rama IK”, të cilat më pas u mbushën me fotokopje parashë, duke simbolizuar korrupsionin qeveritar, ndërsa më drejt qiellit u lëshuan balona ndicuese, mbi të cilat gjithashtu ishte stampuar me gërma të mëdha fjala “IK” drejtuar kryeministrit Edi Rama. Të rinj të forumeve rinore të opozitës, por dhe ish deputetë të saj, qëndrojnë përpara kordonit të policisë për të qetësuar turmën dhe për të garantuar mbarëvajtjen e protestës.

Mesazhet e zoti Basha në fjalën e tij ishin po ato që kanë qenë në thelb të të gjithë qëndrimit të opozitës gjatë këtyre tre muajve që kur ajo u largua nga parlamenti. “Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe pengmarrësit ët demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare. Ja ku është bashkimi dhe mesazhi ynë: Rama ik”, u shpreh zoti Basha. Sipas kryetarit demokrat, qytetarët me manifestimin e sotëm dhanë mesazhin se tani “është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie, pasi ne jemi më të fortë se kurrë. Liri a vdekje! Demokraci a vdekje! Le të jetë kjo mbrëmje preludi fatlum i zgjidhjes së kësaj krize, përmes diktatit të normave dhe parimeve të Evropës. Pa asnjë kompromis për parimet dhe normat euroatlantike. Le të jetë preludi i zgjidhjes politike për ti hapur rrugën Shqipërisë si e gjithë Evropa. Le ti lutemi Zotit, se arsyeja e njejrëzve të arsyeshëm edhe në kampin kundërshtar do ti mbivendoset verbimit të syve të atij që ëshë kapur peng nga krimi në sofrën e qeverisë dhe sundon me krimin”, u shpreh zoti Basha, duke paralajmëruar se “ora po troket tik-tak tik-tak dhe se çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor popullin perëndimor të Shqipërisë, çdo ëndër për të imponuar me krimin zgjedhje moniste dhe çdo përpjekje për të mos u larguar por për të vijuar të qeverisë me krimin, do të marrë përgjigjen e merituar nga ky shesh”. Me ftesën e zotit Basha, përkrahësit e opozitës u drejtuan në një marshim drejt selisë së parlamentit.

Komuniteti ndërkombëtar i ka paraprirë sërish këtë të shtunë, me thirrje për qetësi dhe kundër akteve të dhunshme, protestës së mbrëmjes së opozitës në Tiranë. Ambasada amerikane, përmes një deklarate u shpreh se “ju bëjmë thirrje të gjithë pjesmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë”.

Në të njejtën linjë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasadat e vendeve anëtare. “Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”, vë në dukje deklarata.

Thirrje për një manifestim paqësor erdhën dhe nga drejtuesit më të lartë të OSBE-së, të cilët përsëritën qëndrimin e mbajtur lidhur me protestën e dhunshme të 11 Majit ku theksuan se “dhuna është e papranueshme dhe se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. Deklarata mbetet po aq e vlefshme sa edhe dy javë më parë – nënvizohet në qëndrimin e sotëm – Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike” – thekson OSBE në deklaratën e saj.

Përfaqësitë diplomatike të BE-së dhe SHBA-ve ndërkohë i bënë thirrje palëve për një “dialog konstruktiv me synim për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”.

Më herët gjatë ditës dhe presidenti Ilir Meta, ju drejtua opozitës duke vënë në dukje se “sa e rëndësishme është që ajo të jetë tërësisht paqësore. Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar. Është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë”, shprehet presidenti, duke shtuar se “vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit”.

Forca të shumta policore kanë rrethuar të gjithë zonën përqark godinës së kryeministrisë. Nga ana e saj Partia Demokratike, njoftoi se “300 të rinj të forumeve rinore do të qëndrojnë përpara kordonit të policisë për të qetësuar turmën dhe per te garantuar mbarevajtjen e protestes. Te rinjtë do të mbajnë një shirit të bardhë në krah”./ VOA.

Flash Lajme

Më të lexuarat