Disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill edhe më tej mbetet e hapur çështja për ndryshim të Kodit zgjedhor dhe modelit zgjedhor.

LSDM është e qëndrimit se ka kohë për t’i sjellë këto vendime, dhe zgjedhjet të mbahen sipas modelit të ri, por partneri i tyre i koalicionit, BDI thotë se për ndryshim të modelit zgjedhor deri më tani nuk kanë diskutuar me partnerin qeveritar të koalicionit. Nga BDI konsiderojnë se për atë çështje nevojitet konsensus më i gjerë ndërpartiak, por edhe se kjo nuk duhet të hapet vetëm disa muaj para zgjedhjeve, njofton KOHA.
“Pres kapacitet të shtetndërtimit. Interesat partiake t’i lëmë mënjanë kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve të shtetit dhe ta ndryshojmë modelin në një njësi zgjedhore dhe të sjellim detyrim ligjor 50/50, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se me këtë më së shumti fiton demokracia në shtet dhe eliminohet mundësia nga veprimi i ardhshëm i autokracive.
Absolutisht dëshiroj, nënvizoi Zaevi, nëse është e munduar që të gjithë të qëndrojnë pas kësaj, por në demokracinë parlamentare dihet se nëse 61 vota thonë “për” ai është ligj. Partneri i koalicionit BDI-ja nuk pajtohet, por unë vlerësoj, tha Zaevi, se duhet pak më me kujdes të llogaritet dhe të shohin se duhet të pajtohen.
LSDM-ja dhe Koalicioni, nënvizoi Zaevi, është për një njësi zgjedhore dhe ne qëndrojmë pas kësaj dhe apeloj që VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja të përfshihen në iniciativat dhe modelet e tilla.
“Presidenti i Kuvendit nuk është këtu dhe nuk do të flas për dallimin e komenteve se a ka kohë ose jo. Unë them se ka kohë, sepse duhet të ndryshohet vetëm fleta e votimit dhe e gjithë ajo që ka lidhje me votimin si proces. Tabela e shpalljeve, si shpallet, si qëndron në votim dhe gjithçka që ka lidhje me të. Tjetra se nuk ka teknikë dhe teknologji që KSHZ-ja duhet të përgatitet dhe bordet zgjedhore të ndryshohen”, deklaroi Zaevi.
Theksoi se LSDM është për edhe për lista të hapura, por theksoi se një njësi zgjedhore për lista të deputetëve dhe listat e hapura nuk duhet të shkojnë së bashku.
“Mund të bëjmë lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe tani ta vendosim në ligj, ndërsa me një njësi zgjedhore të shkojmë tani”, sqaroi Zaevi.
Lideri i BDI-së, ndërkaq, dje deklaroi se për ndryshim të modelit zgjedhor nuk kanë diskutuar me partnerin e koalicionit, LSDM-në.
“Konsiderojmë se çështja për modelin zgjedhor është temë për të cilën nevojitet konsensus më i gjerë ndërpartiak, prandaj konsiderojmë se respektohen të gjitha direktivat dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha Ahmeti.
I pyetur përse BDI është kundër vetëm një njësie zgjedhore, Ahmeti u përjgigj se ata konkluduan se nuk ka kohë të mjaftueshme për diskutim dhe përpunim të rergullave të reja zgjedhore.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ndan mendimin e Ahmetit se në ndryshime të këtilla të legjislaturës zgjedhore nuk duhet të hyhet në muajt e fundit të punës së Parlamentit dhe pa konsensus të arritur politik.
Ai sqaroi se nga grupi i deputetëve si propozues të autorizuar në Kuvend janë parashtruar dy propozime për ndryshime të Kodit zgjedhor, një në raport të modelit dhe për për lista të hapura dhe pas procedurës ato mund të gjenden në rend dite të secilës nga mbledhjet e ardhshme.
“Por, mendoj se pa konsensus të përgjithshëm nuk do të duhej të hyhej në një projekt të tillë. Zakonisht, projekte të tilla nuk realizohen në muajt e fundit të punës së Kuvendit sepse ndryshimi kërkon edhe ndryshime adekuate në model dhe në aktivitete të institucioneve të tjera. Në atë kontekst, mendoj se nuk do të duhej të hyhej në ndryshime”, tha Xhaferi.
Nëse hyhet në ndryshime të tilla, shtoi kryetari i Kuvendit, kjo duhet të jetë në fillim të mandatit të përbërjes kuvendore, me qëllim, siç tha, të mund të lihet hapësirë he mundësi që institucionet e tjera të mund t’i zbatojnë dispozitat nga ato ndryshime.
Ndërkaq VMRO-DPMNE është e mendimit se nuk është koha për ndryshim të modelit zgjedhor, por edhe nëse hyhet në një proces të tillë, ata si parti do të angazhohen për 120 njësi zgjedhore. (koha.mk)

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All