Universiteti i Tetovës sot mbajti Akademi solemne me rastin e 25-vjetorit të themelimit të tij. “Kjo datë është më e rëndësishmja për Universitetin e Tetovës dhe ne duhet të shprehim falënderim për ata që u sakrifikuan – materialisht, por edhe me jetët e tyre.

Pa ato përpjekje nuk do ta kishim këtë institucion të lartë arsimor, Universiteti i Tetovës jep kontribut të madh edhe për progresin e vetë shtetit. Sivjet patëm ceremoni ku promovuam mbi 1.000 absolventë, ndërsa për vitin vijues 2019/2020 shënojmë mbi 2.500 studentë të rinj të regjistruar”, theksoi rektori Vullnet Ameti në fjalimin e rastit me rastin e përvjetorit. Ai njëherit informoi se deri te institucionet shtetërore është dorëzuar propozim për riemërimin e këtij institucioni të lartë arsimor në Universitet në Tetovë – Fadil Sulejmani, në nder të rektorit të parë. “Ministri i Arsimit Arbër Ademi në fjalim theksoi se edhe ai vjen nga Universiteti i Tetovës dhe mirë i njeh përpjekjet e të punësuarve për bartjen e njohurive. “Kaluan 25 vjet nga ideja për arsim të lartë të shqiptarëve dhe Universitet tashmë bëhet një hallkë e rëndësishme e cila prodhon kuadro të cilët kontribuojnë për shoqërinë. Jemi krenarë në rezultatet dhe arritjet konkrete dhe mund të themi se ideja e nismëtarëve është përmbushur. Misioni do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe fuqimisht besoj në rezultate të shkëlqyeshme. Shteti edhe më tej do ta ndihmojë Universitetin, në vijim është ndërtimi i konviktit, ndërsa si edhe të gjithë kuadrot arsimore vitin e ardhshëm edhe këtu do të ketë rritje të pagave”, tha ministri Ademi. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi porositi se edhe pse universitetet janë institucione autonome, për funksionimin e tyre është vendosur trekëndësh që përbëhet nga personeli akademik, studentët dhe zëri në buxhetin shtetëror. “Roli i Kuvendit në këtë trekëndësh, përveç që është i rëndësishëm në arritjen e alokacionit në mjete sa më të larta për arsim, është e rëndësishme edhe në pjesën e legjislacionit në fushën e arsimit në të gjitha nivelet. Njëjtë duhet të përshtatet në nevojat e kohës bashkëkohore. Për miratimin e ligjeve sa më të mira, të cilat edhe në terren japin rezultate më të mira, ne i kemi hapur dyert që ta dëgjojmë zërin e të gjitha palëve të prekura”, theksoi kryetari i Kuvendit Xhaferi. Universiteti i Tetovës me rastin e përvjetorit ia ndau titullin doktor nderi të shkencave aktorit të Shqipërisë, Mirush Kabashi për kontribut të veçantë në art. Solemniteti për shënimin e përvjetorit përfundoi me shpalosjen e lapidarit dhe shtatores “Flakadani i Kujtesës” dhe dhe Shtatores së themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. Lapidari dhe shtatorja janë donacion të Lazim Destanit, pronar i kompanisë “Ekolog”, i cili po ashtu ka qenë iniciator për ndryshimin e emrit të universitetit. (INA)

Flash Lajme

Më të lexuarat