Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot fillon debati parlamentar për amendamentet e propozuara për ndryshimin e Kodit zgjedhor. Në Komisionin parlamentar për sistem politik theksohet se deri tani janë regjistruar mbi 2.190 amendamente nga BDI kundër propozimit për një njësi zgjedhore dhe 1544 amendamente kundër propozimit për lista të hapura, përcjell INA.

Ndërkohë, një numër gati të përafërt ka dorëzuar edhe VMRO-DPMNE. Propozimi i mijërave amendamenteve është bërë për të pamundësuar kalimin e tyre, pasi që dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI janë kundër sistemit zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe se kërkojnë që të vijojë sistemi zgjedhor me 6 njësi zgjedhore. Sipas tyre, është kohë e shkurtër aplikimi i një sistemi të ri zgjedhor, derisa LSDM e kryeministrit Zoran Zaev e ka përkrahur propozimin për një njësi zgjedhore, që është bërë nga deputetët e partive më të vogla në Kuvend. Në rend dite janë edhe ligje të tjera që janë përgatitur nga maxhoranca aktuale, por opozita ka thënë se do të pengojë miratimin e tyre, për shkak se bëhet fjalë për ligje populiste që sillen në prag të zgjedhjeve dhe para shpërndarjes së Kuvendit. (INA)

Flash Lajme

Më të lexuarat