Edhe viti 2019 kaloi pa u vënë gurrëthemeli për ndërtimin e Shkollës Fillore në Reçicë të vogël. Megjithëse premtime dhanë, komuna e Tetovës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kryeministri Zoran Zaev, ende nuk ka asnjë informacion të saktë se kur do të fillojnë punët për ndërtimin e shkollës, ndërkaq, kanë kaluar më shumë se dy vite që kur personalisht Zoran Zaev dha premtim para banorëve në zgjedhjet lokale se ndërtimi i shkollës do të jetë prioritet.

Sot e kësaj dite vendi ku duhet të ndërtohet shkolla është në gjendje të mjerueshme. Vonesat për mos fillimin e punëve i ka arsyetuar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila tha se pret që të ndahet buxhet për ndërtimin e së njëjtës, shkruan gazeta KOHA.
“Meqenëse investimet kapitale janë investime të cilat në këtë rast bëhen nga ana e Ministrisë së Arsimit, ata tek ne kishin kërkesën për të rigjeneruar lejen, neve dërguam dokumentet edhe njëherë dokumentet dhe nga informacionet që kemi, ata kanë buxhet të mjaftueshëm për të shpallur procedurën e cila është në përgatitje e sipër dhe buxheti zhvillimor për këtë vit për ndërtimin e së njëjtës dhe besoj se do arrijmë që ta realizojmë dhe qytetarët të arrijnë të shfrytëzojnë benefitet e asaj shkolle”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Premtimi i fundit për këtë shkollë është bërë jo më larg se në muajin nëntor pikërisht nga kryeministri Zoran Zaev.Premtimi është bërë në seancën, e cila u mbajt në komunën e Tetovës. Kryeministri Zaev konfirmoi edhe njëherë se ndërtimi i shkollës në Reçicë të vogël dhe shkollës së mesme Kiril Pejçinoviç, do të fillojë shumë shpejtë.“Të dy shkollat janë pjesë e programit, edhe shkolla në Reçicë dhe Kiril Pejçinoviç, leje për ndërtim është marrë nga ana e komunës së Tetovës dhe unë shpresoj se sektori për investime në pjesën për sferën e arsimit do të japë miratimin për ndërtimin e këtyre dy shkollave, mjetet janë siguruar, dhe besoj shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tyre”, tha gjatë qëndrimit të tij në Tetovë, Zoran Zaev, kryeministër.
Gjatë muajit qershor të viti të kaluar edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi kishte dhënë premtim për këtë shkollë. Ai atëherë tha se nëse nuk e ndërton qeveria shkollën atëherë këtë do ta bëjë Ministria.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale, me komunën e Tetovës, gjithashtu kemi biseduar edhe në më tepër raste dhe situata për të gjetur dhe modalitetin e financimit, shkolla në Reçicë të Vogël do të duhet të bëhet, është domosdoshmëri, patjetër do të duhet të bëhet, dhe ne atë projekt e kemi destinuar në komisionin qeveritarë i cili do të duhet të bëjë financimin e mjeteve të grumbulluara nga kompania TAV dhe presim që komisioni sa më shpejt të del me projektet finale të miratuara dhe në qoftë se ata nuk do ta bëjnë, nuk do të rijmë duar kryq ndoshta procedurat tona janë më të ngadalshme, po presim përgjigje prej tyre nëse jo atëherë ne si ministri sigurisht që do ta marrim përsipër që atë shkollë ta bëjmë realitet”, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Jo rrallë herë partitë opozitare kanë rikujtuar komunën e Tetovës për mospërmbushjen e premtimit ndaj këtyre banorëve. Premtimet e dhëna nga krerët më të lartë të shtetit për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Reçicë të Vogël mbeten ende të parealizuara. Për pasojë, qindra nxënës të këtij vendbanimi, për çdo ditë, bëjnë më shumë se dy kilometra rrugë në këmbë, për të arritur te shkolla “Naim Frashëri”. (koha.mk)

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All