Dy dekadat e fundit shumë pleq dibran ngelën të vetmuar, meqë anëtarët e rinj të familjeve braktisin vendin dhe marrin rrugën e mërgimit. Janë të shumta raste kur në Dibër – mosha e tretë jetojnë të vetëm.

Kjo situatë, edhe pse më parë ka qenë tabu temë, tashmë ka hapur nevojën për ndërtimin e Azilit të pleqve. Azili i pleqve për dibranët vitet e kaluara ka qenë një Institut i padëshiruar dhe shpeshherë është thënë se tradita dibrane nuk dakordohet.
Por, kohët kaluan dhe situata ndryshoi. Një pjesë e mirë e pleqve dibran që jetojnë të vetëm tanimë kërkojnë akomodim nëpër Azile. Aktualisht katër pleq dibran janë akomoduar në Azilet të qyteteve më të afërta të Dibrës. Për këtë ka biseduar udhëheqësia e pensionistëve të Dibrës, por kohëve të fundit – problemi në fjalë është edhe temë debati edhe në pushtetin vendor. Me qëllim që t’ju dilet në krah pleqve që jetojnë të vetëm, pushteti vendor ka dhënë dritë jeshile për ndërtimin e një Azili që do të ketë karakter rajonal – që domethënë përveç pleqve nga Dibra, atë ta shfrytëzojnë edhe pleq të rajonit më të gjerë siç janë Zhupa, Reka, Pollogu e tjerë. Të dhënat zyrtare të Komunës Dibër flasin se tanimë është gati projekti për ndërtimin e një Azili në fshatin Ame, i cili gjendet në afërsi të banjave të Dibrës – lokaliteti Banisht. Këtë e pohoi edhe kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili për gazetën KOHA deklaroi se projekti është gati dhe priten investitorët.
“Jemi të mendimit se vendi ku do të ndërtohet azili është një vend piktoresk, i cili mundëson përveç akomodimit në objekt, edhe një rekreim të mirë të moshës së tretë”, thotë Duka, ndërsa shton se është një projekt shumë domethënës për pleqtë, të cilët aktualisht jetojnë vetëm jo vetëm në Dibër, por edhe në rajon. Sipas tij, në këtë Azil me karakter rajonal pritet punësimi i afër 50 personave që do të thotë se vet projekti do të ndikojë pozitivisht në uljen e papunësisë të të rinjve në Dibër.
Deri tani ka patur përkrahje për këtë projekt edhe nga ana e Shoqatës së Pensionistëve, por edhe nga ana e dibranëve, të cilët në një pjesë të mirë ende shfaqin çudinë se si pleqtë dibran mund të përfundojnë në Azil. Për shkak të pamundësisë që pleqtë të akomodohen në Azil, kryesia e Shoqatës së Pensionistëve për disa pleq ka qenë e detyruar që ti akomodojë në objektin e Pensionistëve. Prandaj ndërtimi i Azilit faktikisht tejkalon edhe këtë problem që ka patur shoqata në fjalë.
Merret vesh se mbi 250 pleq të qytetit të Dibrës, por edhe fshatrave për rreth jetojnë me vetëm bashkëshortët e tyre apo edhe të vetëm. Ka raste në disa fshatra të Dibrës kur një grup pleqsh organizohen dhe jetojnë së bashku në një nga shtëpitë e tyre meqë sipas tyre, pleqve u nevojitet shoqëria muhabeti, por edhe ushqimi i ngrohtë. Ka edhe shumë raste kur fëmijët që janë nëpër kurbete paguajnë persona të cilët do të përkujdesen për prindërit e tyre që jetojnë të vetëm në Dibër. (koha.mk)

Flash Lajme

Më të lexuarat