Ministri i Arsimit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi derisa vlerësoi si të suksesshëm realizimin e mësimit online, tha se nuk ka gjasa që të përsëritet viti shkollor, që sipas tij është gjë e mirë për vet nxënësit.

“Reaguam shpejt dhe me efikasitet. Ndërprerja e procesit arsimor zgjati vetëm disa ditë dhe pastaj filloi në mënyrë online të realizohet. Viti shkollor filloi të realizohet, që nënkupton se ky vit shkollor nuk do të përsëritet nga shtatori. Kjo ishte opsioni më i mirë kur nuk ka opsion tjetër”, tha Ademi.

Gjatë këtyre ditëve do të sillet vendimi për maturën shtetërore dhe do të propozohet pako arsimore me masa që duhet të realizohen gjatë kësaj periudhe, paralajmëroi Ademi.

Siç ka njoftuar edhe në raste të tjera, për maturën shtetërore në lojë janë dy opsione.

“Gjatë këtyre ditëve mbetet të sillet vendim rreth kalimit të maturës shtetërore, për të cilën ekzistojnë dy opsione. Testim në qershor ose shfuqizim të këtij detyrimi për këtë gjeneratë”, tha Ademi, njofton TV21.

Ai ka njoftuar gjithashtu se gjatë kësaj periudhe do të propozohet edhe pako arsimore.

“Ajo që do të diskutohet gjatë seancave të ardhshme qeveritare, është një plan konkret për pako arsimore me masa që duhet të ndërmerren gjatë kësaj periudhe”, tha Ademi.

Flash Lajme

Më të lexuarat