Aeroplanë ushtarakë amerikanë dhe grekë nesër me një fluturim mbi Shkup do ta përshëndesin anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, informojnë nga Ministria e Mbrojtjes. Fluturimi do të realizohet rreth orës 11:20.

Dy aeroplanë të aviacionit amerikan ushtarak të shoqëruar nga dy aeroplanë ushtarakë të Republikës së Greqisë, do të realizojnë fluturim mbi territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Fluturimi do të jetë për nder të anëtarësimit tonë në NATO. Aeroplanët do të fluturojnë përgjatë lumit Vardar, ndërsa do të vijnë nga drejtimi i aeroportit të Shkupit, thonë nga MM.

“Aleatët tanë amerikanë dërgojnë porosi të fuqishme se dy vendet tona ruajnë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe se pas mbështetjes së vazhdueshme të cilën na e dhanë në rrugën drejtë NATO-s, dhe pas hyrjes në Aleancë mbeten edhe më tutje aleati ynë i fuqishëm dhe partneri ynë strategjik”, potencoi ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

Aeroplanët amerikanë do të fluturojnë sot prej shtetit federal Dakota e Jugut dhe do të kenë fluturim 30 orësh pa ndërprerje me mbushje të karburantit në ajër. Nëse kushtet e motit e mundësojnë këtë, qytetarët e interesuar do të mund ta mbikëqyrin fluturimin e aeroplanëve amerikanë dhe aeroplanëve shoqërues nga aviacioni ushtarak grek mbi Shkupin. Aeroplanët mbi vendin tonë do të fluturojnë në lartësi prej 1.500 metrave dhe fluturimi i tyre do të shoqërohet me zë të fuqishëm. Demonstrimi i këtij fluturimi do të jetë edhe një konfirmim për pranimin e përzemërt të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe sinjal për vazhdimin e bashkëpunimit.

Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO filloi me mbështetje të gjerë nga ana e vendeve aleate, që u tregua edhe gjatë krizës shëndetësore nga virusi korona me donacione të shumta të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse nga ana e aleatëve. Si anëtare e re e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut është e përfshirë edhe me programin për patrullim ajror i cili është ekskluziv vetëm për anëtaret e Aleancës dhe qëllimi i së cilës është mbrojtja e qiellit të shteteve të NATO-s.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All