Kryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka parashtruar fletë pronësinë deri te Antikorrupsioni. Në fletë pronësinë e fundit që e ka parashtruar, Zaev nuk ka banesë, veturë, motoçikletë edhe pse shpesh herë publikonte fotografi në rrjetet sociale.

Në fletë pronësinë janë të cekura të holla që Zaev në vitin 2012 i ka dhënë hua, në vlerë prej 4 milion denarëve, përcjell TV21.

Tani për tani nuk ka ndryshim në fletë pronësinë e Ministrit për punë të brendshme, Oliver Spasovskit.

Te deputeti dhe nënkryetari i LSDM, Muhamed Zekiri, ka ndryshim në fletë pronësinë. Në fletë pronësinë që e ka parashtruar para disa viteve, Zekiri posedon dy banesa dhe dy vetura të markës BMW. Tani veturat e markës BMW janë zëvendësuar me Mercedes 220. Njëra në pronësi të tij dhe tjetra në pronësi të vëllait të tij. Si patundshmëri ka paraqitur një banesë dhe një shtëpi në Shkup.

Në listën me më shumë pronë është deputeti i BDI, Naser Nuredini, i cili deri më tani e ka kryer funksionin e Ministrit për ambient jetësor. Ai si pronë posedon banesë në Austri, që vlen 1 milion euro, më pas investime në fonde në vlerë prej 140 mijë eurove dhe depozitë në bankë në vlerë prej 90 mijë eurove dhe kredi prej 12 mijë eurove.

Me përshkrim të detajuar të gjendjes së pronës në fletë pronësinë, pas Nuredinit pëson Milla Carovska. Në pikën pronë personale ajo ka cekur se posedon pronë në vlerë prej 64 mijë eurove. Ajo ka shkruar se posedon Toyota Yaris dhe tokë ndërtimore në Ponikva, e blerë në vitin 2018 si dhe letra me vlerë – aksione.

Pas saj pëson ministri i deritanishëm i kulturës, Hysni Ismaili. Prona e tij së bashku me pronën e prindërve të tij dhe bashkëshortes, është në vlerë prej 1.4 milion eurove. Në fletë pronësinë ai ka shkruar se posedon 4 banesa, dy shtëpi, depozitë në deviza në bankë dhe hapësirë afariste në Tetovë.

Përveç Carovskit dhe Nuredinit, edhe kate deputet të kësaj përmbajtje kanë paraqitur se posedojnë pronë jashtë vendit.

Nikolla Dimitrov banesë në Hagë, Holandë.

Antonio Milloshoski banesë në Gjermani në pronë të fëmijëve të tij.

Ali Ahmeti ka tokë në Shqipëri.

Enis Ibrahimi ka shkruar se vëllai i tij posedon hapësirë afariste në Stamboll, Turqi.

Në listën e deputetëve “të rëndë gjysmë milion euro” është edhe lideri i PDSH, Menduh Thaçi i cili në fletë pronësinë e tij ka shkruar se posedon pronë të tundshme dhe të patundshme, në vlerë prej 445 mijë eurove.

Mickoski kur ka qenë drejtor në SHA ELEM, sipas hulumtimit të SKUP, në fletë pronësinë ka cekur se posedon pronë në vlerë prej 552 mijë eurove. Atëherë ka paraqitur se posedon shtëpi me oborr në Shkup, depozitë prej 75 mijë eurove, në llogarinë bankare 30 mijë euro dhe Citroen C5. Në atë periudhë ka pasur edhe kredi prej 9 mijë eurove dhe hua prej 75 mijë eurove.

Si liderë me më pak pronë janë kryetarët e BDI, Ali Ahmeti, Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela dhe ai i Besës, Billall Kasami.

Dimitar Apasiev, lideri i partisë E majta është deputet i ri në Kuvend. Sipas fletë pronësisë së tij ai në emër të tij ka paraqitur banesë prej 60 m2 në Shkup, në vlerë prej 3.9 milion denarëve. Në emër të bashkëshortes ka paraqitur vetur Alfa Romeo, ndërsa në emër të tij ka paraqitur edhe bursë që e merr nga viti 2002. Është interesante se së bashku me bashkëshorten kanë 3 kredi.

Në periudhën e ardhshme, të gjithë funksionarët e zgjedhur deri te KSHPK do të duhet të parashtrojnë ose të përditësojnë të dhënat në fletë pronësinë e tyre./TV21

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All