Shkruan Latif Mustafa/

Disa arsye se pse, subjekti politik “AlternAtivA”, duhet ta braktisë qeverinë:

1. Kryetari i saj dhe eksponentë politik të kësaj partie, shpeshherë, kanë arsyetuar se hyrja në qeveri është bërë për qëllime strategjike, si çështja e ndërrimit të emrit dhe përpjekja për anëtarësimin në NATO.

Këto çështje tashmë konsiderohen të mbyllura dhe vendi ka marr drejtimin, rrjedhimisht edhe misioni i këtij subjekti mendoj që ka përfunduar.
2. Si subjekt i ri, i themeluar rishtazi si produkt i një kontesti politik dhe juridik, ka nevojë për një legjitimitet të ri politik. Të qenit e saj në qeveri nuk është rezultat i ndonjë marrëveshje paraprake e dalë nga ndonjë rezultat zgjedhor por nga një proces dekonstruktimi gjë që e zbeh legjitimitetin e saj dhe kërkesa për një legjitimitet të ri, është fort e nevojshme.
3. Meqë si parti, ideologjikisht promovohen si konservator, kurse me orientim programor janë të qendrës së djathtë, politikat e saja bien ndesh me politikat social demokrate (më mirë të themi ad-hoc) të partnerit qeveritar maqedonas. Normalisht që një parti e djathtë mund të bëjë koalicion me një partner social demokrat por kjo mund të arrihet vetëm pas një fushate dhe programi të mirë promovuar dhe koalicioni i tillë është, thjeshtë, realizim i këtij programi.
4. Dëshmi tjetër për braktisjen e qeverisë është edhe ministri i saj i suksesshëm Asaf Ademi dhe rrënjët e saja në politikat dekriminalizuese. Ai është dëshmia më e mirë për potencialin kuadrovik që ky subjekt mund t’i ofroj shoqërisë në të ardhmen për ta shtri platformën e dekriminalizimit politik në të gjitha nomenklaturat e shtetit.
5. Opozitarizmi, këtij subjekti politik, do t’i ofronte rikonceptimin e saj politik dhe strategjik për të ardhmen e shtetit dhe subjektit në fjalë. Dhe kjo do të fillonte me një rishqyrtim të qartë për përzgjedhjen e presidentit të shtetit dhe zgjedhjet lokale që do të mbahen në Dibër.
6. Mbi të gjitha, opozita është shtrati ku kultivohet një parti e re. Aq më tepër, opozita është kampi ku AlternAtivA e ka mundësinë e shpjegimit të saj se çfarë alternative në të vërtetë është: alternativë shoqërore, partiake apo alternativë ndaj një trajektore botëkuptimore filozofike.
7. A mund të quhet kjo një lloj akti kamikaz politik. Mbase edhe po, por megjithatë vetëm një zë i fuqishëm, një vetëmohim dhe vetëvrasje protestuese politike mund ta zgjojë nga gjumi dhe letargjia motivin dhe vullnetin e topitur të kësaj shoqërie konformiste.

Sa më shpejt, aq më mirë!

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All