(Reagim ndaj  tekstit të Ilir Çapunit “No passaran”, publikuar në web faqen e TV Teuta)

Në një reagim të botuar në web faqen e TV Teuta me titull “No passaran”, kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ilir Çapuni synon të merret me shkrimin “Pylli i Pishave si sprovë serioze për kryetarin e Kuvendit të Ulqinit”, të botuar me 5 tetor në portalin “Infoshqip”.

Mirëpo, për keqardhje Çapuni nuk e trajton fare temën që po i preokupon sot qytetarët e Ulqinit, por i frustruar  merret me çështje krejt tjera. Me asnjë fjalë nuk  i përmend  8000 m2 të Pyllit të Pishave që tashmë Komuna po bëhet gati ti shesë në emër të aferës më korruptive në Mal të Zi. Përkundrazi, Çapuni me mendjemadhësi, përbuzje dhe fyerje sulmon mediat duke theksuar se artikulli në portalit “Infoshqip” e paska shkruar, sipas tij, një “gazetar pa emër-anonimë”.

Është e çuditshme se si një ish botues, që brenda natës katapultoi në politikë, nuk e di se çka është shkrimi redaksional, i cili si zhanër gazetareskë përdoret nëpër media të shkruara dhe elektronike si dhe nëpër mediat sociale. Është e pakuptueshme që një intelektual të injoroj shkrimin redaksional, i cili, si i tillë, trajton problemet më të ndjeshme shoqërore dhe politike dhe paraqet qëndrimin e redaksisë në fjalë.

Në portalin e partisë, ku Çapuni është drejtor politik, “Lajm. me” janë botuar me dhjetëra e dhjetëra  shkrime redaksionale për tema të llojllojshme, por askush nuk i cilësoi këto artikuj si të “manipuluara”, të bëra për “spin” apo shkrime “anonime”, siç  e etiketon Çapuni artikullin e portalit “Infoshqip”.

Në vend që të merret me çështjen e Pyllit të Pishave, ku në tavolinën e tij të punës, këto ditë,i arriti edhe një peticion i qytetarëve, Çapuni akuzon redaksinë se “hodhën mbi mua barrën e shumicës parlamentare”.

Siç duket z. Çapuni harron se “barrën e shumicës parlamentare” ia ka ngarkuar vetvetes, atëherë kur me mbështetjen e shumicës u bë kryetar i Kuvendit. Ashtu siç e zgjodhën me shumicën shqiptare edhe kryetarin e Komunës së Ulqinit (ku nismëtar ishin pikërisht këshilltarët e partisë së tij ) dhe për herë të parë në pluralizmin politik vota e elektoratit shqiptar u keqpërdor për interesat e partisë në pushtetin e Malit të Zi (DPS).

Këtë “barrë” z. Çapuni e gëzofshi, sepse me vullnet të plotë ia ngarkuat vetes, por keni harruar se në politikë nuk mund të jesh asnjanës e aunuk dhe njëkohësisht ti gëzosh favoret e saja.

Mos e shpërfillni realitetin z. Çapuni dhe mos i akuzoni mediat dhe gazetarët për “manipulim” dhe “burrëri të cunguar”. Duhet ta pranosh se “burrëria” ka mbetur në duart tuaja. Ose do ta mbrosh pasurinë e qytetarëve të Ulqinit, qoftë edhe me dorëheqjen tuaj si akt moral, ose do ti ndihmosh tjetërsimit të pasurisë duke komprometuar dinjitetin e qytetarëve  dhe duke u bërë shembull i modelit më të shëmtuar të qeverisjes vendore në Ulqin.

Flash Lajme

Më të lexuarat