Ditë për ditë, në punishten e vogël pranë shtëpisë së tij në Ranë, në afërsi të Xhamisë së Pashës, Xhefko Kashoxha modelon dhe krijon velanije nga e kaluara jonë. Xhefkoja është një virtuoz, një artist i cili me durim të pafund, pas fotografive të vjetra ka ringjallur një pjesë të madhe të “flotës” së detarisë sonë të famshme.

Mjeshtëria e këtij artisti të palodhur ka bërë që shumë nga këto velanije përsëri të fitojnë formën që kanë pasur dikur, që nga fillimi e deri te fundi i tyre.
Xhefko Kashoxha është një mjeshtër me nam, i rrallë, modest dhe i thjeshtë, i cili modelon dhe “gadit” anije apo barka me vela. Shumë prej këtyre velanijeve sot stolisin vitrinat apo dhomat në shumë shtëpi në Ulqin, por gjenden edhe në shumë vende tjera. Njëra prej velanijeve të ndërtuara nga ky mjeshtër, ndoshta edhe më e bukura, gjendet në zyrën e kryetarit të Komunës së Ulqinit, pavarësisht se Xhefkoja thotë se, të gjitha e kanë bukurinë e vet.

“Nganjëherë ndodh që nga pakujdesia vjen deri te prishja e ndonjë pjese nga velanija, dhe pronarët e tyre m’i sjellin prapë velanijet, të cilat i kam ndërtuar më parë me ia ndreqë përsëri, apo me i ‘gaditë’ këto prishje, siç ka ndodhë me këtë barkë të cilën e kam bërë para disa viteve.
Në gjuhën malazeze për gjëra të tilla është shprehja ‘remont’, por vetëm për barka të mëdha. Me modele të cilat i modeloj unë nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla, pasi që këto nuk lundrojnë…”, shprehet Xhefkoja.

Të shkruash për Xhefko Kashoxhën është me të vërtetë një sfidë e madhe pasi që puna me të cilën merret ai është një art i veçantë, një aktivitet i rrallë me të cilin merren shumë pak njerëz jo vetëm në Ulqin, por në tërë Malin e Zi dhe rajon. Ai ka mbi 30 vite që merret me modelimin e anijeve dhe barkave, në veçanti të velanijeve nga e kaluara e jonë.
Në librat e mia të mëparshme kam shkruar për shumë kapedanë dhe detarë me nam, për personalitete të tjera, por kurrë nuk kam shkruar për një njeri i cili nuk lundron, por i cili jeton dhe i përjeton lundrimet e shumë velanijeve që ai duke i modeluar dhe ndërtuar, përsëri i ringjallë dhe u jep frymën ashtu siç kanë qenë dikur. Për këtë edhe them se është vështirë të përshkruaj punën, veprën dhe personalitetin e këtij virtuozi nga Rana.

Natyrisht, në Ulqin ka edhe njerëz të tjerë që e kanë modelimin e anijeve trashëgimi, por ata janë të rrallë, dhe pa dyshim asnjeri nuk e ushtron këtë mjeshtëri deri në perfeksionizëm, ashtu siç e bën Xhefko Kashoxha. Mjafton të kaloni pranë punishtes së tij të vogël, dhe të hidhni një sy në modelet e disa anijeve që gjenden në vitrinë, apo t’i shihni modelet që sapo ka filluar t’i ndërtojë ky mjeshtër i rrallë.

Në bisedë me të tregon se këtë pasion e ka ushtruar gjithmonë, bile edhe në kohën kur ka punuar në NHT “Riviera e Ulqinit”, në kohën e artë të turizmit tonë, por jo me kaq intensitet si tani. Tash që është në pension, ka shumë më tepër kohë për t’u marrë me këtë aktivitet. Mua më duket se duke e ushtruar atë ditë për ditë, mjeshtëria dhe talenti i tij i pashtershëm arrin kulminacionin dhe kalon në një virtuozitet të rrallë, të paparë.
Anijet që Xhefkoja i modelon, kanë lundruar dikur dhe kanë qenë aktive në detet dhe portet e brigjeve të Detit Adriatik dhe më gjatë, deri në Mesdhe dhe nëpër oqeane. Ai sot punon me plane dhe skica që i ka fituar nga arkivat e njohura, që i ruajnë planet dhe skicat e velanijeve ashtu siç kanë qenë të ndërtuara dikur në kantiere të njohura. Natyrisht, shumë modele të anijeve gjenden edhe në revista të ndryshme që, ashtu si edhe Xhefkoja, kanë një nostalgji të pafundme për detin dhe detarinë e dikurshme, në kohën e sotme kur pothuajse gjithçka është e mbuluar dhe e ndërtuar me plastikë.

Prandaj, thotë Xhefkoja, “të parët e mi si edhe ulqinakët dhe detarët e vjetër nga Rana dhe Kalaja, gjithmonë i kanë modeluar apo i kanë ndërtuar sanallat dhe velanijet nga druri për nevoja të veta, me dërrasa, sipas modeleve që i kanë pasur në mendjen e tyre apo në kartolinat e vjetra, dhe i kanë modeluar me mjete dhe alate që i kanë pasur në dispozicion. Unë i përmbahem kësaj teknike dhe kësaj tradite, kështu që velanijet dhe barkat nga punishtja dhe dora ime, dalin apo gjenden këtu veç nga dërrasat prej druri, të cilave unë u jap formën e duhur”.

Shumë velanije të punuara nga duart e këtij virtuozi stolisin sot shtëpi të panumërta private pasi që pronarët apo trashëgimtarët e të parëve të tyre, i porosisin ose i kanë blerë prej Xhefkos.
Ai gjithmonë me vështirësi dhe me dhimbje të madhe ndahet nga këto anije, pasi me të gjitha është i lidhur shpirtërisht, fizikisht dhe me zemër, siç thotë ai. Ditë, muaj, por nganjëherë edhe vite kalojnë duke i modeluar dhe duke e vendosur në vendin e caktuar secilën pjesë, çdo detaj, e të gjitha këto duke i ndërtuar me dorë dhe një durim të pafund.

Edhe unë shpesh ndaloj në punishten e tij pranë rrugës dhe gjithmonë mbes i fascinuar me mjeshtërinë e këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Më duket se kurrë nuk mund të ngopem me pamjen e tyre. Më duket se secila prej tyre është e gatshme të niset prapë në lundrime nëpër dete dhe nepër porte të ndryshme. Kam një nostalgji të madhe, pasi që edhe babai im ka filluar lundrimin në një velanije si detar i ri, në shekullin e kaluar. Të gjithë ne jemi fort të lidhur me detin, me barka dhe me traditën tonë detare të famshme. Jam më se i sigurt se në ato kohë Xhefkoja ishte konsideruar si “Usta” (mjeshtër) në kantierin e njohur të Ulqinit .
Xhefko Kashoxha është i veçantë. Vështirë të imagjinosh se sa punë, sa durim, sa precizitet është në duart e tij, në qenien e tij. Mua më duket se ai i ka nervat si kanop, të them më mirë si ata litarët me të cilët është e lidhur secila anije, duke filluar prej direkëve dhe deri te bashi, te velat, apo sanallave.

Punishten e ka të vogël. Një karrigë dhe mjetet, dërrasat e vogla të përpunuara enkas për velanije, fotografitë, modelet dhe veglat me të cilat punon dhe modelon ky virtuoz nga Rana jonë.

I kujton me nostalgji dhe nuk i harron kurrë vitet e kaluara në “Rivierën e Ulqinit”, që nga fillimet e vitit 1972 e deri te shkatërrimi i saj. Në veçanti ato vitet në Entin për Punësim kur kemi mbetur pa punë, të cilat ishin “status quo”, deri te pensioni i merituar i parakohshëm. Kanë qenë kohë të vështira, ku shumë nga punëtorët janë larguar nga vendi për të gjetur punë, kurse disa të tjerë pranuan të “shesin” cigare dhe gazeta në kioska.
“Unë dola në pension dhe fillova më intensivisht me modelimin e velanijeve dhe barkave. Kështu talenti dhe puna ime më solli një jetë më të lehtë. Talenti i të parëve, Rana dhe deti, u zgjuan në mua edhe më tepër, dhe sot po mbijetoj, derisa të më lejojnë shëndeti, duart dhe sytë.
Jam më se i sigurt, që edhe babai im Kasymi, ashtu si të gjithë anëtarët nga fisi jonë, të cilët gjithashtu kanë punuar në det dhe kanë qenë gjemxhi dhe janë marrë edhe me ndërtimin e sanallave dhe anijeve të vogla nga druri, do të ishin të kënaqur me punën time”, shprehet Xhefkoja.

Ai është i kënaqur me familjen e tij. Ka dy vajza dhe një djalë. “Dhe natyrisht pjesa më e mirë e familjes sime është bashkëshortja ime Azra, një zonjë me një pedigre të veçantë, të cilës asnjëherë nuk i mungon buzëqeshja, e cila gjithmonë ka qenë shtylla kryesore te ne dhe e cila ka pasur një durim të pafund për punën time, për mua dhe për fëmijët tanë”.

Flash Lajme

Më të lexuarat