Në shkollën e mesme të lartë profesionale “Bau Academy”, nxënësit po arrijnë suksese për profilizimin e tyre profesional në drejtimet teknike për instalues elektrik, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit dhe ventilimit, instalues i TIK dhe servisues i TIK, murator ndërtimit, si dhe drejtimi metalpunues dhe saldator.

Koordinatorja e cilësisë në “Bau Academy”, Sofie Hasani-Halilaj, tha për KosovaPress se ekonomia dhe tregu i Kosovës ka nevojë për kualifikimin e të rinjve në këto profile teknike.

Sipas saj, në shkollat profesionale, zakonisht mësimi është i orientuar në pjesën teorike dhe praktike që janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Në këtë shkollë, sipas saj, zhvillohen kurrikulat e reja dhe mësimi është i integruar me staf të përgatitur mirë, laboratorë dhe teknologji të fjalës së fundit.


“Kurrikulat e reja të aprovuara nga Ministria e Arsimit, zhvillohet në kurrikula, në atë mënyrë që mësimi është i integruar, do të thotë ndërlidhja me teorinë dhe praktikën është e domosdoshme. Ato njësi mësimore, të cilat zhvillohen në klasë zbatohen menjëherë në laboratorët, të cilët i posedojmë brenda shkollës dhe aty arrihen edhe kompetencat profesionale, aftësimi profesional drejtpërdrejt në praktikë përmes veglave të punës, të cilat i posedojmë. Laboratorët, të cilët i posedojmë ne, janë të teknologjisë më të re, ku shkolla ka pajiset e teknologjisë së fundit”, deklaron Hasani-Halilaj.

Ajo shton se nxënësit janë të përgatitur për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut vendor dhe të huaj.

Sipas koordinatores, investimet të cilat i ka bërë themeluesi i shkollës, që është kompania “Al Trade’, janë investimet që i duhen një shkolle profesionale të këtij stili-tipi që mund të çojnë drejt avancimit modern sipas teknikave bashkëkohore evropiane me një konkurrencë me shkollat më të mira evropiane pasi edhe kurrikulat janë të harmonizuara me ato gjermane, në mënyrë që të përgatiten nxënësit jo vetëm për tregun vendor, por edhe për atë ndërkombëtar.


“Shkollat profesionale për dallim nga shkollat e arsimit të përgjithshëm siç janë gjimnazet kanë një përparësi. Përparësia qëndron në atë se përveç që pajisen me një diplomë të shkollës së mesme, nxënësit këtu kanë mundësi të marrin edhe profesion (zanat), që iu mundëson një punësim të sigurt. Nuk ka zanat, i cili nuk jep perspektivë për punë në të ardhmen për të rinjtë që mund të përgatiten jo vetëm me njohuritë e përgjithshme që kanë gjimnazet, por këtu arrihen edhe njohuri tjera, shkathtësitë që merren gjatë punës, që është një trekëndësh për njohuri, shkathtësi dhe kompetenca që në fund merret edhe diploma”, tha ajo.

Nxënësit e “Bau Academy”, përveç që arrijnë të marrin benefitet e praktikimit të punës së drejtpërdrejt, ata mund edhe të fitojnë nga profesioni i tyre qysh në moshën 15-16 vjeçare.

Koordinatorja Hasani Halilaj pohon se “Bau Academy” ka filluar punën nga viti 2017, dhe në këtë vit diplomon gjenerata e parë.

“Nxënësit tanë janë indikatorë të suksesit tonë. Sukseset e tyre nuk po mungojnë, pothuajse 90 qind e nxënësve punojnë. Përveç praktikës së obligueshme të cilën e ka ‘Bau Acadamy’ gjatë vitit shkollor për t’i angazhuar në kompani, gjatë verës nxënësit angazhohen me punë sezonale me pagesë”, thekson ajo.

Gjithashtu, “Bau Academy’ ofron edhe kursin e gjuhës gjermane falas, për të gjithë të regjistruarit./KosovaPress/

Loading...


2002-2019

Flash Lajme

Më të lexuarat