Policia e Kosovës ka arrestuar në Mitrovicë dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale – ushtrim i ndikimit. Ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Lajmin për kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Sot, më 07.10.2019, Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Mitrovicës ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit’. Me aktvendim të prokurorit që të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë. KALLXO.com merr vesh se njëri nga të arrestuarit është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit. Arrestimi i tij vjen disa ditë pas raportimit në disa media se vëllai i kryetarit të Vushtrrisë ishte përfshirë në një skandal korruptiv. Në disa videoincizime, shihej vëllai i të parit të Vushtrrisë duke negociuar për dhënien e lejeve ndërtimore në Vushtrri dhe duke marrë para kesh në duar si ryshfet. Pas publikimit të këtij videoincizimi, kishte reaguar i pari i Vushtrrisë, që e kishte cilësuar si shantazh dhe fushatë të ultë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës. “Kam refuzuar dhe do të refuzoj t’i nënshtrohem krimit dhe shantazhit. Asgjë e prezentuar në këtë video nuk është me dijen time e as me pjesëmarrjen time. Jam zotuar para qytetarëve të Vushtrrisë për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe do të vazhdoj t’i përmbahem këtij zotimi. Do të bashkëpunoj me organet e rendit dhe ligjit që të ndiqen deri në fund të gjithë ata që keqpërdorin besimin tim dhe shkelin ligjin. Përgjegjësia është individuale dhe i bëjë thirrje organeve të rendit që menjëherë të fillojnë hetimet për këtë rast dhe kushdo qoftë i përfshirë le të merr dënimin sipas ligjit. E gjithë kjo do të sqarohet ditëve në vazhdim. Spekulimeve të tilla që përdoren në fushata nga paniku i humbjes do ti përgjigjem me argumente dhe para organeve të drejtësisë.”, kishte shkruar ndër tjerash Tahiri në reagimin e tij.

Flash Lajme

Më të lexuarat