Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë

Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë

Kërkimi dhe Inovacioni në Kosovë është i pazhvilluar dhe përballet me një sërë sfidash. Efikasiteti i sistemit të Kërkimit dhe Inovacionit pengohet nga faktorë të ndryshëm, duke filluar nga mungesa e mekanizmave të zbatimit dhe monitorimit, mjete të pamjaftueshme financiare kushtuar zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit, burime të dobëta njerëzore që ndikon në thithjen e ulët të fondeve ekzistuese kombëtare dhe ndërkombëtare, infrastruktura e dobët për Kërkim dhe Inovacion, mungesa e politikave dhe e korrdinimit ndërinstitucional.

Janë këto të gjeturat kryesore që u prezantuan në tryezën me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe mbështetur nga Projekti HERAS (Higher Educaiton, Research and Applied Sciences), i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë.

Në këtë tryezë u publikua raporti i Vlerësimit të Kërkimit dhe Inovacionit, ku autori i këtij raporti Hamit Qeriqi tha se një ndër sfidat kryesore është mos funksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Shkencës. Ai tha se mos funksionalizimi i këtij Këshilli ka prodhuar pasoja negative, me ç’rast tha se prioritetet në fushën e Kërkimit dhe Inovacionit nuk janë përditësuar dhe nuk janë identifikuar qartë. Ai deklaroi se investimi në Kërkim dhe Inovacion është jashtëzakonisht i ulët, madje ai shtoi se po të bëhet krahasim rajonal Kosova renditet në fund të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, mungesa e fondeve e vështirëson kryerjen e aktiviteteve të mjaftueshme për Kërkim dhe Inovacion, si dhe ndikon në cilësinë e aktiviteteve të Kërkimit dhe Inovacionit. Qeriqi u shpreh se infrastrukturat kërkimore-shkencore dhe kapacitetet kërkimore janë shumë të dobëta, objektet e pamjaftueshme ekzistuese sipas tij janë të vjetëruara dhe nuk janë të përshtatshme për qëllime kërkimore. Madje, ai tha se ende janë larg standardeve ndërkombëtare.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë Christoph Weidinger, i cili deklaroi se vendi që e përfaqëson për 20 vite mbështet zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimin e inovacionit në Kosovë përmes projekteve të ndryshme. Weidenger u shpreh se Austria e ka mbështetur Kosovën në arsimin e lartë qe 20 vite dhe se do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i MAShT, Ekrem Kastrati tha se mbeten të përkushtuar që të angazhohen maksimalisht në realizmin me sukses të projektit Heras në Kosovë, me qëllim të zhvillimit të kërkimit dhe inovacionit në Kosovë. Ai tha se qeveria e Kosovës dhe MAShT kanë synim të forcojnë tutje përkushtimin dhe përpjekjet në integrimin e plotë të Kosovës në Zonën Evropiane të Kërkimit dhe në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Ndërkaq, udhëheqësi i projektit “Heras” Aqim Emurli tha se për herë të parë ka një raport që jep rekomandime për institucionet kosovare se si të trajtohet çështja e kërkimit dhe inovacionit.

Tryeza me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, është organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbështetur nga Projekti HERAS (Higher Educaiton, Research and Applied Sciences), i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë.

Flash Lajme

Më të lexuarat