“Çdo shqiptar i shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë!”. Kjo është një nga shprehjet për nivelin e shkollimit të shqiptarëve të Kosovës, të thëna dikur e të rikujtuara këto ditë, teksa po shënohet 50vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.

I takon Millosh Cërrnjnskit, shkrimtarit impresionist dhe diplomatit serb, e thënë në kontekst të debatit për ndërtimin e një universiteti në Kosovë, këtu e gjysmëshekulli më parë. Themelimi i Universitetit të Prishtinës është një ngjarje liminale, prag që e ndan historinë e Kosovës në dy epoka: periudha e shoqërisë së saj pa universitet dhe me universitet. Para universitetit, niveli i analfabetizmit në Kosovë mezi ishte zbritur në 40 për qind pas organizimit të kurseve kundër analfabetizmit në vitet 1950. Pas universitetit, përhapja e ndikimit të tij ishte bërë e pakontrollueshme, gjë kjo e paparashikueshme.

“Parahistoria” e UP-së

Në historinë e gjatë të universiteteve nëpër Evropë ai duket një universitet krejt riosh, që ende nuk e ka mbushur moshën e një shekulli. Por në krahasim me shumë të tjerë, Universiteti i Prishtinës ka një histori të vëllimshme, që e parë bashkë duket e habitshme të ketë ngjarë në vetëm 50 vjet. Madje jo vetëm histori, sepse Universiteti i Prishtinës ka edhe një “parahistori” – e kaluara që e solli atë. Paradoksalisht, disa nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës janë më të vjetra sesa vetë ai. Fakulteti Filozofik së pari, si më i vjetri, i themeluar që më 1960, apo Fakulteti Juridik-Ekonomik, që ishte hapur një vit më pas. Por të dy këto fakultete funksiononin si pjesë e Universitetit të Beogradit, atë kohë kryeqytet i Jugosllavisë.

Do të duhej të kalonte fiks një dekadë nga fakulteti i parë në Kosovë, për të ardhur tek universiteti i parë: 10 vjet nga Fakulteti Filozofik tek Universiteti i Prishtinës. Në vitin 1968, kur në rrugët e Parisit dhe Pragës ishin dyndur mijëra njerëz për të protestuar, në Prishtinë mijëra shqiptarë do të protestonin po ashtu kundër diskriminimit politik dhe social të tyre në Jugosllavi. Parullat përmbanin kërkesa: “Dum Flamur Kombëtar”, “Dum Kushtetutë”, “Dum Republikë” dhe “Dum Universitet”. Dhe universitet do të kishte. Më 18 nëndor (siç është shkruar në tekstin e ligjit për universitetin, meqë atë kohë ende nuk ishte standardizuar shqipja) të vitit 1969, Kuvendi Krahinor i Kosovës nxori Ligjin për Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e botoi dy ditë më pas edhe në fletoren zyrtare.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Flash Lajme

Më të lexuarat